Lojtari i kombëtares së Arabisë Saudite thirri nga shtrati i spitalit: Lutuni për mua

Lojtari i kombëtares së Arabisë Saudite, Yasser Al-Shahrani, nuk do ta kujtojë me kujtime të bukura ndeshjen e parë në Kupën e Botës në Katar, pavarësisht fitores së bujshme të ekipit të tij ndaj Argjentinës.

Gjegjësisht, Al-Shahrani ka marrë një goditje të rëndë në kokë në fund të ndeshjes nga portieri i tij i cili në tentativë për të ndërhyrë dhe larguar rrezikun e ka goditur me gju në kokë.

Futbollisti ka mbetur i shtrirë i palëvizur dhe pas ndërhyrjes së parë të ekipit mjekësor në fushë është transferuar menjëherë nga stadiumi në spitalin Hamad në Doha.

Pas ekzaminimeve të para, u vlerësua se ai duhej t’i nënshtrohej një operacioni dhe sipas informacioneve të Gulf Today, Princi Mohammad Bin Salman urdhëroi që futbollisti të transferohej me avion privat në një spital në Gjermani, ku do të operohej përfundimisht.

Ndërkohë, vetë Al-Shahrani thirri nga shtrati i spitalit.

“Dëshiroj t’ju siguroj se jam mirë. Lutuni për mua. Gjithashtu dua t’i përgëzoj tifozët e Arabisë Saudite për një fitore të madhe, ju e merituat”, tha Al-Shahrani.

Nga rruga, mbrojtësi i Arabisë Saudite pësoi një thyerje të nofullës dhe kockave të fytyrës, si dhe kishte edhe gjakderdhje të brendshme.

Kategoritë
Sport