Lojtari saudit i lëndohet rëndë duhet t’i nënshtrohet një operacioni të ri, përmendet edhe fundi i karrierës së tij

Lojtari i kombëtares së Arabisë Saudite, Yasser Al-Shahrani nuk do të ketë kujtime të bukura nga ndeshja e parë në Botërorin e Katarit, pavarësisht fitores së bujshme të ekipit të tij ndaj Argjentinës, është konfirmuar se do të mungojë në pjesën e mbetur të Botërorit.

Al-Shahrani mori një goditje të rëndë në kokë në fund të ndeshjes nga portieri i tij, i cili në përpjekje për të ndërhyrë dhe larguar rrezikun, e goditi me gju në kokë.
Futbollisti ka mbetur i shtrirë i palëvizur dhe pas ndërhyrjes së parë të ekipit mjekësor në fushë, më pas është transferuar në spitalin e Riadit, ku i është nënshtruar një operacioni të suksesshëm.

Mbrojtësi i Arabisë Saudite ka pësuar thyerje të nofullës dhe eshtrave të fytyrës, ka pasur edhe gjakderdhje të brendshme dhe ndërkohë ka telefonuar nga shtrati i spitalit dhe ka thënë: “Lutuni për mua”.

Sipas mediave saudite, është vendosur që Al-Shahrani javën e ardhshme t’i nënshtrohet një operacioni të ri, për të riparuar plotësisht nofullën e thyer.

Madje u përmend se ai mund t’i japë fund karrierës për shkak të një dëmtimi të rëndë, por nuk ka asnjë informacion zyrtar për këtë çështje dhe gjithçka tjetër është në fushën e spekulimeve.

Arabia Saudite do të luajë kundër Polonisë të shtunën dhe me një fitore të mundshme do të siguronte një vend në 1/8.

Kategoritë
Sport