Lufta e Putinit në Ukrainë po trazon keq Ballkanin, nacionalistët serbë ndezin motorët për “Serbinë e Madhe”

Nga Tomislav Marković  “Voxeurop

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Në shkurt, “Informer”, gazeta tabloide më i njohur në Serbi hapej me titullin “Ukraina sulmon Rusinë!”. Pronari dhe drejtori i saj ka qenë mik i ngushtë i presidentit serb Aleksandar Vucic. Ky titull surreal nuk bën përjashtim në përshkrimin gazetaresk të luftës në Ukrainë.

Në fakt, ai është një shembull i qartë i magjepsjes që ka Serbia për Putinin prej shumë vitesh. Në dallim nga pjesa tjetër e botës, e cila dënoi agresionin e Ukrainës nga Rusia, mediat nën kontrollin e Vucic kanë vazhduar me glorifikimin e shfrenuar të këtyre krimeve.

Tabloidët, portalet në internet, të përjavshmet dhe kanalet televizive kombëtare, brohorasin për shkatërrimin e qyteteve të Ukrainës dhe kanë një mbështetje të pakushtëzuar që ushtria ta vazhdojë deri në fund fushatën e saj brutale kundër vendit fqinj.

Drejtorët dhe gazetarët e këtyre mediave të përkushtuara ndaj dezinformimit, janë zhytur në një gjendje të thellë ekstaze: vrasja e civilëve të pafajshëm, qytetet e rrafshuara dhe shkatërrimi i kishave dhe monumenteve, i mbushin me entuziazëm.

Tubimet në mbështetje të ukrainasve u mbajtën në shumë qytete anembanë botës, ndërsa në Beograd pati mitingje të mëdha me turmën që brohoriste Vladimir Putin, dhe vizatonte në asfalt shkronjën Z (duke i bërë jehonë simboli tashmë famëkëq që është vizatuar në automjetet ushtarake ruse).

E gjithë bota u drodh para raporteve që tregojnë viktimat në rrugët e Bucha-s, nga godinat e shkatërruara në Kiev dhe Kharkiv, nga spitalet dhe shkollat ​​e shkatërruara, makinat e djegura, civilët që strehohen në stacionet e metrosë, dhe nga miliona refugjatë ukrainas që largoheshin nga vendi i tyre.

Ndërkohë mbështetësit serbë të Putinit kërcejnë nga gëzimi. Në vend të dhembshurisë për viktimat e pafajshme, ka një mbështetje të përhapur për kriminelët. Ndërsa miqtë e tij në media festojnë për vdekjet dhe shkatërrimet në Ukrainë, Aleksandar Vucic pretendon të jetë politikisht neutral.

Serbia votoi me shumë hezitim pro rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila e dënoi agresionin rus në termat më të ashpër, dhe i bëri thirrje Kremlinit të ndërpresë menjëherë përdorimin e forcës kundër Ukrainës. Por nga ana tjetër vazhdon të refuzojë të vendosë sanksione kundër Rusisë.

Shumë zyrtarë evropianë dhe senatorë amerikanë kanë takuar Vucic, duke ia bërë të qartë se kishte ardhur koha për të zgjedhur: Serbia do të ishte në anën e Evropës, apo do të mbështeste Rusinë? Me gjithë këto presione, Vucic po e mban Serbinë pezull. Natyrisht, ajo nuk mund të mbetet neutrale përballë fushatës mizore të Rusisë kundër Ukrainës.

Kur kërkon të mbetesh neutral kur një xhelat masakron një viktimë, do të thotë të marrësh anën e xhelatit. Qëndrimi i Serbisë ndaj luftës në Ukrainë, ka nevojë për sqarime të mëtejshme. Agjencia ruse e lajmeve “Sputnik” dhe kanali televiziv satelitor “Russia Today”, janë të përfshirë në përhapjen e propagandës së Kremlinit në vende të tjera, ndërsa në Serbi shumica e gazetave kombëtare sillen si të ishin pjesë e aparatit rus nën komandën e drejtpërdrejtë të Vladimir Putin dhe Roskomnadzor, agjencisë federale ruse për mbikëqyrjen e mediave dhe monitorimin e komunikimeve.

Por problemi nuk ka të bëjë vetëm me sferën e informacionit, që është tashmë produkt i politikave katastrofike. Qeveria e Beogradit nuk ka hequr asnjëherë dorë nga ideologjia nacionaliste e “Serbisë së Madhe”, synimi i së cilës është të bashkojë të gjitha rajonet e populluara me serbë në Kroaci, Bosnje Hercegovinë, Malin e Zi dhe Maqedoni në një shtet të vetëm, dhe shkaktoi edhe luftëra në ish-Jugosllavi.

Përjashtimi i vetëm ka qenë kryeministër jetëshkurtër Zoran Đinđić. Por përpjekja për t’u rikthyer në qytetërimin modern, u ndërpre nga vrasja e tij më 12 mars 2003, nga të njëjtat forca që shkaktuan luftërat dhe që u përpoqën të krijonin një Serbi të madhe.

Udhëheqësit politikë aktualë në Serbi, morën pjesë aktive në ndërmarrjen e përbashkët kriminale (siç u përcaktua edhe nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë) në luftërat e viteve 1990. Presidenti Vucic ishte një zyrtar i lartë i Partisë Radikale Serbe të Vojisllav Sheshelj, i dënuar për krime lufte.

Partneri i tij në koalicionit Ivica Dacic, sot lider i Partisë Socialiste Serbe, ishte zëdhënës i Slobodan Milosevic, president i vendit në vitet 1989-1997, i akuzuar për krime kundër njerëzimit dhe për spastrim etnik të kryer në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë. Një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Vucic, Ministri i Brendshëm Aleksandar Vulin, e

filloi karrierën e tij si zyrtar i së Majtës Jugosllave, partia e themeluar nga gruaja e Milosevic, Mirjana Markovic. Asnjë zyrtar politik në Serbi, nuk e ka pranuar ndonjëherë se është kryer gjenocid në Srebrenicë (ku ushtria e Republikës Serbe të Bosnjës masakroi 8.000 boshnjakë myslimanë në korrik 1995). Të gjitha elitat politike, mediatike, kulturore, kishtare dhe sociale, mohojnë përgjegjësinë e Serbisë për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

Historia e kohëve të fundit është falsifikuar: versioni zyrtar është se serbët kanë qenë gjithmonë viktima, asnjëherë xhelatë. Pas vuajtjes së dënimit, kriminelët e luftës rikthehen në vendlindje ku priten me nderimet më të mëdha nga personalitetet më të larta të shtetit.

Në qytetet anembanë Serbisë, murale të panumërta paraqesin Ratko Mladic (gjenerali serbo- boshnjak të etiketuar si Kasapi i Bosnjës dhe Xhelati i Srebrenicës) me sloganin “heroi serb”. Kushdo që flet për krimet serbe cilësohet si tradhtar, ndërsa më të guximshmit sulmohen menjëherë përmes fushatave shpifëse, linçohen në gazeta dhe rrjetet sociale.

Në Prokurorinë e Beogradit për Krime Lufte, prej vitesh po zvarriten mbi 2500 raste, që mbeten ende në fazën e hetimeve paraprake, me qëllimin e dukshëm për t’i mbyllur ato. Sipas vlerësimeve të Fondit për të Drejtën Humanitare, një ojq me seli në Beograd dhe Prishtinë, të paktën 6 mijë kriminelë lufte ecin të qetë në rrugët e qyteteve serbe, pa u dënua asnjëherë.

Për nacionalistët serbë, periudha aktuale e paqes është e përkohshme, ashtu siç janë kufijtë në Ballkan. Nacionalistët ëndërrojnë ende një shtet të madh serb që përfshin Kosovën, Malin e Zi, Republikën Serbe të Bosnjës dhe një pjesë të Kroacisë.

Sot një ëndërr e tillë është e pamundur të realizohet, por nacionalistët janë të duruar. Pas disfatës në luftërat ballkanike, ata u tërhoqën në strofullat e tyre për të lëpirë plagët e tyre, dhe për të ushqyer urrejtjen ndaj vendeve fqinje, nëpërmjet një ofensive mediatike që synonte ta mbante popullsinë gjithmonë vigjilente dhe gati për luftë.

Ata duhet vetëm të presin momentin e duhur, kur të ndryshojnë rrethanat ndërkombëtare. Kjo është një nga narrativat kryesore që ka përgatitur propaganda ruse për tregun serb, i përsëritur mijëra herë në artikuj dhe dalje publike në dekadat e fundit. Prej më shumë se 20 vjetësh, nacionalistët kanë pritur që Rusia të përfshihet në një përballjeje vendimtare me “rendin e ri botëror” kundër Antikrishtit perëndimor, dhe të mposhtë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara jo-besimtare dhe të vendosë një rend tjetër në planet.

Ata besojnë se Putin është Mesia i qiejve dhe tokave të reja. Ata e përfytyrojnë presidentin rus si një version të përmirësuar të Slobodan Milosevic: si sundimtar të një perandorie të fuqishme me një arsenal bërthamor në dispozicion. Ndaj në sytë e serbëve të dashuruar me Putinin, pushtimi rus i Ukrainës është i barabartë me momentin e përballjes përfundimtare. Sipas tyre, ka nisur përmbysja e madhe që do të rrafshojë rendin e vjetër dhe që do të ngrejë nga rrënojat e tij një botë të re, në të cilat sovraniteti, kufijtë dhe traktatet ndërkombëtare nuk do të kenë rëndësi. Në vend të ligjit ndërkombëtar dhe “marrëzive” të tjera perëndimore, do të mbizotërojë ligji i xhunglës, siç e dikton edhe tradita autoritare.

Dhe shtetet që mbështeten nga sundimtari botërorë që dominon Kremlinin – përfshirë Serbinë – do të kenë të drejtën të bëjnë atë që filluan 3 dekada më parë: shfarosjen dhe dëbimin e kombeve dhe feve të tjera për të krijuar përfundimisht shtetin e zgjeruar që kanë ëndërruar me shekuj dhe plotësojnë dëshirën e tyre për madhështi imagjinare.

Tek e fundit, doktrina nacionaliste serbe i konsideron shumicën e kombeve fqinje si shpikje të komunizmit, ashtu siç pretendon propaganda e Putinit, se ukrainasit janë shpikur si komb nga Lenini. Se ata janë të gjithë serbë, ose më mirë rusë, në rrugën e gabuar. Por ata refuzojnë ta pranojnë këtë, dhe prandaj meritojnë të ndëshkohen.

Shkrimtari dhe mendimtari i madh serb Radomir Konstantinovic deklaroi në mënyrë profetike 3 dekada më parë: “Ne jetojmë në një botë ku monstruozja po bëhet e natyrshme, dhe e natyrshmja monstruoze”. Mjerisht edhe sot diagnoza e tij është më e saktë se kurrë.


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina