Lufta në Ukrainë, presidenti Zelensky viziton nesër Berlinin, do vlerësohet me çmim

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të vizitojë nesër Berlinin, konfirmuan pak më parë burime të qeverisë gjermane.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Zelensky do të mbërrijë në kryeqytetin gjerman që mbrëmjen e sotme, pasi nuk është dhënë asnjë informacion për orarin e vizitës dhe takimeve të tij.

Kjo do të jetë vizita e parë e presidentit ukrainas në Gjermani që nga fillimi i luftës dhe axhenda e kontakteve të tij pritet të përfshijë nevojën për dërgimin e pajisjeve ushtarake për forcat e armatosura të Ukrainës dhe promovimin e kandidaturës së Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Nesër në mbrëmje Volodymyr Zelensky do të marrë, me siguri personalisht, çmimin “Karli i Madh” në emër të popullit ukrainas, në një ceremoni që do të zhvillohet në bashkinë e Aachen, në North Rhine-Ëestphalia.

Zelensky aktualisht ndodhet në Romë dhe në javët e kaluara ka vizituar Londrën, Parisin, Brukselin, Varshavën, Helsinkin dhe Hagën.

Masa jashtëzakonisht të rrepta sigurie po merren në Berlin, Brandenburg dhe Aachen, pasi presidenti ukrainas konsiderohet “një nga krerët më të kërcënuar të shtetit në botë dhe një objektiv kyç për udhëheqjen e Moskës”, sipas mediave gjermane, duke cituar burime policore.

Është karakteristikë se, sipas Tagesspiegel, zbatohet një protokoll më i rreptë edhe se ai për vizitat e presidentëve amerikanë apo zyrtarëve nga Izraeli.

Planifikimi i vizitës së presidentit ukrainas u zbulua fillimisht dy javë më parë nga policia e Berlinit.

Një gazetë në kryeqytet publikoi detaje të mbërritjes së tij, e cila do të ndodhte mbrëmjen e sotme, si dhe hotelin ku do të qëndronte, orarin e takimeve dhe madje edhe transferimin me helikopter në Aachen.

Rrjedhja shkaktoi reagime të forta nga Kievi dhe çoi në një hetim të brendshëm nga autoritetet në Berlin.

“Reputacioni i policisë së Berlinit është dëmtuar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar,” pranoi shefja e policisë së kryeqytetit, Barbara Slowik, e cila urdhëroi një hetim të brendshëm.

Nga ana e qeverisë federale atëherë ishte bërë e qartë se “nëse do të ketë një vizitë, do të njoftohet në minutën e fundit”.

Kategoritë
BotaLajme