Lufta s’dihet sa do zgjasë, Gjermania do trajnojnë 5000 ushtarë ukrainas deri në pranverë

Gjermanët kanë marrë rol më të fuqishmë në mbështetje të Ukrainës. Përkundrejt dërgimit të armatimit, ata do të stërvisin 5000 ushtarë ukrainas deri pranverën e ardhshme, duke sjellë hamendësime se lufta nuk përfundon shpejt.

Për shumë analistë ushtarakë, Ukraina do të kthehet në makth për Rusinë, pasi do të mbetet aty dhe as do të mund të avancojë, as të tërhiqet.

Që në krye të herës, zyrtarë të administratës amerikane kanë thënë se ajo që Rusia e nisi si operacion special ushtarak do të vijojë gjatë, jo sikundër thoshte propaganda ruse se mbyllet për pak javë.

Së fundmi, evropianët kanë marrë përsipër që të stërvisin ushtarakët ukrainas. Gjermanët do të stërvisin pesë mijë prej tyre deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

Lajmin e njoftoi vetë kancelari Scholz ndërsa premtoi më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Po ashtu, evropianët kanë bërë gati një paketë prej 175 milion eurosh për dimrin që është përpara. Paketa e ndihmës do të shkojë për gjëra të domosdoshme për strehim, ndërsa bombardimet e shumta ruse kanë dëmtuar infrastrukturë civile dhe lagje të tëra kanë mbetur pa drita, ujë apo gaz për t’u ngrohur.

Kancelari Scholz dënoi sulmet e fundit ushtarake të Rusisë dhe tha se “sulmet e qëllimshme ndaj popullatës civile janë krime lufte”.

Ndërkohë, Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier ka anuluar udhëtimin e tij në Kiev për “arsye sigurie”, raportoi “Bild”.

Vizita e Steinmeierit në kryeqytetin e Ukrainës, e cila ishte organizuar prej javësh duhej të bëhej këtë të enjte – por dy ministritë përgjegjëse dhe autoritetet gjermane të sigurisë këshilluan anulimin e udhëtimit mes një përshkallëzimi të sulmeve ajrore ruse në Kiev dhe qytete të tjera në javët e fundit.

Kategoritë
BotaLajme