Lukaku është gati të largohet nga Chelsea vetëm për në Napoli

Futbollisti belg Romelu Lukaku këmbëngul për një bashkëpunim të ri me trajnerin Antonio Conte dhe për këtë arsye është gati të largohet nga Chelsea këtë muaj vetëm nëse do të thotë të shkojë në Napoli.

Tridhjetë e një vjeçari Lukaku është i pari në listën e përforcimeve të dëshiruara të përpiluar nga Conte, trajneri i ri i napolitanëve. Qëllimi është që të zëvendësohet në mënyrë adekuate Victor Osimhen.

Megjithatë, blutë nuk janë gati për një huazim të ri, por duan të shesin patjetër Lukakun dhe t’i japin fund njëherë e mirë historisë që lidhet me belgun.

Corriere dello Sport shkruan se Lukaku nuk dëshiron të flasë për ndonjë destinacion këtë verë përveç Napolit dhe po pret që Chelsea të arrijë marrëveshje me klubin italian. Sulmuesi vazhdon të stërvitet individualisht në mënyrë që të jetë plotësisht gati për t’iu bashkuar skuadrës së re.

Nga ana tjetër, Napoli ende nuk e ka shitur Osimhenin, i cili mund të shkonte te Chelsea për një shumë të madhe parash, por në paketë do të vinte edhe Lukaku.

Megjithatë, PSG nuk po heq dorë nga Osimhen dhe dëshiron ta shohë atë në radhët e tyre.

Kategoritë
Sport