Lumir Abdixhiku refuzon ftesën e Kurtit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka refuzuar takimin për konsultime me kryeministrin në detyrë, njëherësh kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kështu është bërë e ditur nga LDK-ja përmes një letre të publikuar në Facebook, pas takimit që mbajtën nënkryetarët e kësaj partie në selinë në Prishtinë.

“Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik.”- shkruan në letrën e publikuar më 08.04.2025.

“Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim. Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë. Fjalët e thëna ndaj nesh kanë peshë. Dhe fjalët tona – ato që u kemi dhënë qytetarëve tanë, atyre që nuk joshen nga spektakli i përçarjes por që besojnë se shteti ndërtohet me respekt e dinjitet – kanë peshën e fjalës së dhënë. Peshën e besës”- shkruan tutje.

Kurti në ftesën që i ka dërguar Abdixhikut, i ka dhënë dy orare: të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00.

Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në një deklaratë për media pas mbledhjes me përfaqësuesit e partive politike për seancën konstituive, ka thënë se LVV i ka dërguar ftesë për takim vetëm LDK-së, për t’u konsultuar për formimin e institucioneve të reja.

“Sa di unë letra i është drejtuar vetëm LDK-së, kurse gjuhën që do ta përdorim do të jetë gjuhë e bashkëpunimit, e partneritetit, sepse mund ta merrni me mend tensionet dhe polarizimet e mëdha që ndodhin gjatë fushatës e që i kemi pasë edhe gjatë legjislaturës së tetë” – u përgjigj Konjufca kur u pyet se a i ka dërguar LVV-ja ftesë partive tjera apo vetëm LDK-së dhe “cila është gjuha që do të komunikoni me hajvanatin”.

Kandidati i LVV-së për kryeministër Albin Kurti, pak orë pas zgjedhjeve të 09.02.2025, opozitën e quajti “Hajvana”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi