Macron: Evropa dëshiron të kontrollojë çmimet e karburanteve dhe gazit për të parandaluar rritjen

“Objektivi ynë është të kufizojmë efektet e luftës tek qytetarët, tek bizneset tona dhe të jemi në gjendje të rivendosim ekuilibrin në tregun e energjisë dhe të ulim çmimet e karburanteve fosile”, tha Macron

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka pohuar synimin e Evropës për të kontrolluar çmimet e karburanteve dhe gazit për të mbrojtur evropianët nga efektet tronditëse të krizës energjetike për shkak të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Objektivi ynë është të kufizojmë efektet e luftës tek qytetarët, tek bizneset tona dhe të jemi në gjendje të rivendosim ekuilibrin në tregun e energjisë dhe të ulim çmimet e karburanteve fosile”, tha Macron në një konferencë për media në fund të samitit G7 në Gjermani.

Macron tha se lufta po rrit çmimet e karburanteve fosile dhe ka shkaktuar një goditje asimetrike për vendet evropiane të varura nga Rusia për nevojat e energjisë. Sipas tij, rritja e çmimeve të karburanteve ka lënë ekonomitë evropiane në një “situatë të paqëndrueshme”.

Ai tha se vendet prodhuese të naftës në afat të shkurtër duhet të rrisin prodhimin dhe duhet të ketë koordinim midis blerësve dhe prodhuesve për të blerë naftë në sasi të mëdha, me qëllim që të jenë në gjendje të kontrollojnë më mirë çmimet e karburanteve.

Presidenti francez sërish fuqizoi qëndrimin se “Rusia nuk mund dhe nuk duhet ta fitojë këtë luftë”.

Sulmin e djeshëm në qendrën tregtare ukrainase, ku humbën jetën 18 persona, Macron e quajti “krim lufte”, por nuk u pajtua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, për të njohjen e Rusisë si sponsor shtetëror të terrorit.

Kategoritë
BotaLajme