Macron: Evropa është vonë në marrjen e përgjegjësisë për sigurinë e saj

“Ne kemi nevojë për një Ukrainë të fortë, një Evropë të fortë dhe një aleancë të fortë Atlantike”, theksoi presidenti francez Emmanuel Macron në konferencën për gazetarët gjatë takimit të tij me Sekretarin e Përgjithshëm të ri të NATO-s, Mark Rutte në Paris.

“Ofrimi i ndihmës për Ukrainën mbetet një prioritet absolut,” tha presidenti francez, duke vënë në dukje se vendosja e trupave të Koresë së Veriut përbën një përshkallëzim të rrezikshëm.

“NATO dhe aleatët e saj duhet të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje të plotë për Ukrainën ”, theksoi Macron. Presidenti francez tha gjithashtu se forcimi i sigurisë së Evropës duhet të bëhet përmes NATO-s, duke folur për një shtyllë evropiane të Aleancës Atlantike.

“Evropa u vonua në marrjen e përgjegjësisë për sigurinë e saj,” tha presidenti francez, duke shprehur kënaqësinë e tij për faktin se të gjitha vendet evropiane janë të gatshme të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes.

Ai gjithashtu përsëriti vullnetin e tij për një “autonomi strategjike” të Evropës, mbështeti forcimin e industrisë evropiane të mbrojtjes por edhe në favor të forcimit të lidhjeve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s./abcnews.al

Kategoritë
BotaLajme