Macron hoqi orën e shtrenjtë në mes të emisionit teksa fliste për pagat minimale

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po përjeton, për shkak të reformave të pensioneve, ndoshta momentet më të vështira për sa i përket situatës politike dhe sociale brenda vendit dhe shumë qytetarë dhe politikanë të opozitës përdorin çdo mundësi për të kritikuar punën e tij.

Një rast i tillë pasoi intervistën e presidentit francez për televizionin TF1, ku Macron foli për situatën aktuale të shtetit dhe pakënaqësitë e sindikatave. Ndër të tjera, një nga temat e diskutuara ka të bëjë edhe me qytetarët që kanë paga minimale.

Pikërisht në atë moment, teksa fliste për pagat minimale, Macron vendosi të hiqte orën e shtrenjtë dhe kjo u vu re nga shumë analistë dhe politikanë të cilët i dërguan Macronit një sërë kritikash.

“Kur flet për njerëz me të ardhura minimale, ata që nuk kanë fituar kurrë kaq shumë fuqi blerëse, Macron fsheh në mënyrë diskrete orën e tij të bukur luksoze nën tryezë. Ky njeri është qesharak,” tha politikani Clemence Guette.

Ndërkohë, pasuan kritika nga politikanë të tjerë dhe në fund u desh të reagonin edhe këshilltarët e Emmanuel Macron. Kur qytetarët deklaruan se ora kushton më shumë se 80 mijë euro, Zyra e Presidentit njoftoi se është modeli BR V1-92, i shitur nga prodhuesi francez i orëve Bell & Ross, çmimi i së cilës është rreth 2500 euro.
“Macron e ka mbajtur këtë orë rregullisht për më shumë se një vit e gjysmë. Ai tashmë e ka mbajtur atë në ngjarje të tjera publike, si finalja e Kupës së Botës 2022 në Katar ose gjatë një vizite shtetërore në Uashington dhjetorin e kaluar,” thanë ata.

Në pyetjen se pse e hoqi orën gjatë intervistës dhe gjatë temës së pagës minimale, nga kabineti u përgjigj se çështja ishte shumë e thjeshtë.

“Nuk është për hir të fshehjes, por sepse pikërisht në atë moment ai goditi brutalisht tavolinën me orën. Zhurma dëgjohet qartë në video,” tha zyra e presidentit Emmanuel Macron.

Kategoritë
BotaLajme