Macron në Kajro: E rëndësishme zgjidhja politike për konfliktin në Lindjen e Mesme

Franca gjithashtu do të dërgojë së shpejti një nga anijet e saj të Marinës Kombëtare për të mbështetur spitalet në Gaza, tha Macron

Presidenti i Francës theksoi sot rëndësinë e një zgjidhjeje politike të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.

Lufta kundër terrorizmit, mbrojtja e civilëve dhe zgjidhja politike e problemit janë tri shtylla që duhen ndjekur, tha Emmanuel Macron në një konferencë shtypi në Kajro me homologun e tij egjiptian Abdel Fattah al-Sisi.

Macron tha se Franca nuk zbaton standard të dyfishtë në lidhje me viktimat e konfliktit.

“E drejta ndërkombëtare zbatohet për të gjithë. Franca ka mbështetur gjithmonë vlerat universale të humanizmit. Të gjitha jetët kanë rëndësi dhe nuk ka hierarki. Të gjitha viktimat meritojnë dhembshurinë tonë, angazhimin tonë në një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, tha ai.

Ai tha se Franca do të dërgojë materiale mjekësore në bordin e një avioni që do të zbresë në Egjipt.

Franca gjithashtu do të dërgojë së shpejti një nga anijet e saj të Marinës Kombëtare për të mbështetur spitalet në Gaza, shtoi Macron.

– Turneu i Macronit në Lindjen e Mesme

Presidenti francez shtyu një vizitë në Suedi dhe shkoi në Izrael të martën, ku takoi familjet e pengjeve që u morën nga grupi i rezistencës palestineze Hamas, homologun e tij izraelit Isaac Herzog dhe kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Më pas ai u takua me presidentin palestinez Mahmud Abbas në Ramallah dhe u nis për në Aman për të takuar Mbretin e Jordanisë Abdullah.

Pas një takimi sot herët, Macron kaloi në Kajro për të diskutuar situatën në Rripin e Gazës me Sisin.

Kategoritë
BotaLajme