Presidenti francez Emmanuel Macron dhe homologu i tij amerikan Donald Trump biseduan me telefon disa minuta para se Macron të priste liderët evropianë të mbledhur në Paris për të diskutuar mbi sigurinë.
Nga kabineti i presidentit francez u bë e ditur se biseda zgjati rreth 20 minuta. Ky telefonatë ndodhi në një moment kur liderët evropianë po përpiqen të gjejnë një përgjigje të unifikuar ndaj ndryshimeve të shkaktuara nga mandati i dytë i Trumpit, përfshirë planet e tij për një takim të drejtpërdrejtë me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.
Anëtarët evropianë të NATO-s dhe BE-së kanë shprehur shqetësimin e tyre për vendimin e SHBA-së për t’i përjashtuar ata nga negociatat për përfundimin e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë. Kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, kryeministri britanik Keir Starmer, kryeministrja daneze Mette Frederiksen, kryeministri polak Donald Tusk dhe kryeministri holandez Dick Schoof u mblodhën në Paris në një takim të cilin zyrtarët francezë e përshkruan si “joformal”.
Përveç tyre, në këtë takim po marrin pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian António Costa dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte.
Para takimit, Tusk u bëri thirrje shteteve evropiane që të rrisin ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen, për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë në kontinent, ndërsa Washingtoni duket i gatshëm të reduktojë angazhimet e tij ushtarake në rajon.