Makina turke Togg kaloi me sukses dhjetëra teste para se të dilte zyrtarisht në rrugë dje, raporton Anadolia.
Makina e parë elektrike turke Togg doli në rrugë pas një dorëzimi ceremonial për Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
“Nga sot ne fillojmë të shohim Togg në rrugë,” tha Erdogan ndërsa priti modelin e parë T10X të Togg në një ceremoni në kompleksin e Pallatit Presidencial në Ankara.
Erdogan tha se Togg ka arritur nivelin aktual si një simbol i përparimit teknologjik, zhvillimit ekonomik dhe reputacionit global të Turqisë. Ai shtoi se kjo makinë revolucionare do të zbukurojë rrugët e Turqisë dhe mbarë botës.
Procesi i certifikimit të automjeteve u përfundua nga Instituti Turk për Standarde me kontrollet e konformitetit të prodhimit.
Siç njofton Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë, në makinën Togg janë kryer dhjetëra teste.
Makina elektrike turke ka kaluar me sukses gjithsej 41 teste dhe kontrolle teknike si testet e baterisë dhe sigurisë së automjeteve elektrike, testet e përputhshmërisë elektromagnetike, diapazoni i automjetit, frenimi, përplasja ballore dhe anësore, mbrojtja e këmbësorëve dhe manovrimi.
Pasi kaloi të gjitha testet dhe në kuadër të legjislacionit të harmonizuar të Bashkimit Evropian në fushën e industrisë së automobilave, Togg arriti një sukses të konsiderueshëm duke kaluar “testin e sigurisë së automjeteve elektrike”, një nga testet më të rëndësishme të automjeteve elektrike.
Ministri turk i Industrisë dhe Teknologjisë Mustafa Varank deklaroi se Togg është më shumë se një makinë.
“Do të konkurrojë shumë mirë me konkurrentët në treg. Nuk krijon zhurmë, nuk dëmton mjedisin, por në të njëjtën kohë është i fortë, shumë komod dhe i pajisur mirë teknologjikisht”, tha ai.
Çmimi i modelit standard T10X të Togg varion nga 953,000 lira turke (rreth 50,200 dollarë amerikanë) në 1,055 milion lira (rreth 55,600 dollarë amerikanë), ndërsa çmimi i modelit me rreze të gjatë është 1,215 milion lira (rreth 64,000 dollarë amerikanë).
Me dy opsione të ndryshme të baterive për T10X me rrota të pasme 160 kW (218 hp), klientët mund të zgjedhin midis një distancë prej 314 kilometrash (195 milje) ose 523 km (325 milje).
Versioni i parë i T10X mund të përshpejtojë nga 0 në 100 km/h për 7.6 sekonda, ndërsa i dyti, që pritet të dorëzohet në tetor, mund të arrijë 100 km/h për 4.8 sekonda.
Versioni i dytë ka edhe lëvizje me katër rrota, me fuqi 320 kW (435 kuaj fuqi).
Bateritë Togg T10X mund të karikohen nga 20 përqind në 80 përqind në më pak se 28 minuta në stacionet e karikimit të shpejtë.
Konsumatorët gjithashtu mund të zgjedhin nga gjashtë ngjyra të ndryshme për këtë automjet elektrik elegant.