Mali i Zi, forcat pro-serbe fituese në zgjedhjet vendore në Podgoricë dhe në disa komuna tjera

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve vendore në 14 komuna në Mal të Zi, tregojnë për një fitore të forcave politike pro-ruse dhe pro-serbe, të cilat i fituan edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2020.

Pavarësisht se koalicioni i mbledhur rreth Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit aktual MiloGjukanoviç fitoi më shumë vota megjithatë “Fronti Demokratik”, “Demokratët” dhe partia e sapo themeluar “Evropa Tani”, në një koalicion të mundshëm mund të ushtrojnë pushtetin në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricën.

Sipas të dhënave të Qendrës për Tranzicionin Demokratik (CDT) edhe pse partia pro-evropiane e presidentit Gjukanoviç fitoi më së shumti mandate në disa qytete, për shkak të mungesës së koalicioneve të mundshme pas zgjedhor, pushtetet vendore do të formohen nga kundërshtarët e tyre politikë.

Përveç Podgoricës, Partia Demokratike Socialiste me aleatët e vet humbi Danilovgradin, Kolashinin, Zhablakun, Plevlen, kurse arriti të mbajë pushtetin në Bijelo Pole dhe Tivar. Ndërkaq, Fronti Demokratik pro-serb arriti ta ruaj pushtetin absolut në qytetin bregdetar, Budva.

Këto zgjedhje u vlerësuan si shumë të rëndësishme pasi gara u zhvillua mes dy grupimeve politike që kanë dominuar prej vitesh në Mal të Zi. Në njërën anë ishin partitë pro-malazeze të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit aktual, Milo Gjukanoviç, që mbi 30 vite e mbanin pushtetin në Mal të Zi dhe në anën tjetër ishin partitë që fituan zgjedhjet e vitit 2020, të njohura si grupimi pro-serb dhe pro-rus.

Zgjedhjet mbahen në kulmin e krizës politike në vend, kur qeveria në largim e kryeministrit Dritan Abazoviç humbi besimin dhe shumica parlamentare nuk arriti të formonte një qeveri të re. Kështu që këto zgjedhje janë edhe një test për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Mal të Zi.Zgjedhjet vendore u mbajtën në 14 komuna në Mal të Zi dhe sipas vëzhguesve që e monitoruan procesin zgjedhor, ai ishte mjaft i qetë dhe demokratik.

Kategoritë
LajmeRajoni