Mallkimi i Ronaldos në Arabinë Saudite vazhdon, ja cilat janë të gjitha garat që nuk ka fituar

Futbollisti portugez Cristiano Ronaldo (39) tronditi botën e futbollit kur në fund të vitit 2022 u largua nga futbolli evropian për t’u bashkuar me Arabinë Saudite, dhe sukseset e tij në këtë shtet aziatik ende mungojnë. Deri tani, Ronaldo ka fituar vetëm një trofe me Al Nassr, më shumë se një vit e gjysmë më parë, në garën jo të rregullt të UAFA-s për klubet më të forta të botës arabe – Arab Club Champions Cup.

Dështimin e fundit e përjetoi të martën, kur humbi një penallti në minutën e 96-të, me të cilën ndoshta do t’i kishte siguruar ekipit të tij kohën shtesë kundër Al Tawoons. Megjithatë, ndeshja përfundoi 1:0 për kundërshtarët, dhe Al Nassr u eliminua nga Kupa e Arabisë Saudite në fazën e 1/8-ës së finales.

“Ai ka humbur tashmë nëntë tituj në Arabinë Saudite. Mallkimi vazhdon. Ky ishte zhgënjimi i nëntë për Ronaldon që nga janari i vitit 2023, kur ai mbërriti në Arabinë Saudite,” shkruan gazeta spanjolle As për Ronaldon. Kujtojmë se portugezi te Al Nassr merr 200 milionë euro në vit dhe deri tani ka luajtur 76 ndeshje me një bilanc prej 67 golash dhe 18 asistimesh.

Garat që Ronaldo nuk ka fituar me Al Nassr:

Kampionati i Arabisë Saudite (2022/23, 2023/24)

Liga e Kampionëve të Azisë (2023/24)

Kupa e Mbretit (2022/23, 2023/24, 2024/25)

Superkupa e Arabisë Saudite (2022, 2023, 2024)

Kategoritë
Sport