Mallorca mposhti Espanyolin! Vedat Muriqi la gjurmë në ndeshje

Në javën e 28-të të LaLigës, Mallorca mundi Espanyolin me rezultatin 2-1. Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, fillimisht shënoi një autogol, më pas humbi një penallti, por në minutën e fundit i siguroi skuadrës së tij tri pikët.

Në këtë përballje të javës së 28-të të LaLigës Spanjolle, Mallorca dhe Espanyol u përballën në një ndeshje dramatike.

MURIQI LA GJURMË NË NDESHJE

Espanyoli kaloi në epërsi 1-0 në minutën e 53-të, pas një autogoli të Vedat Muriqit.

Në minutën e 62-të, Mallorca fitoi një penallti, por Muriqi nuk arriti të realizojë. Vetëm tre minuta më vonë, në minutën e 65-të, Takuma Asano barazoi rezultatin në 1-1.

Mallorca nuk u dorëzua dhe në minutat e fundit fitoi një tjetër penallti. Vedat Muriqi mori përsëri përgjegjësinë dhe këtë herë nuk gaboi, duke shënuar golin e fitores në minutën e 90+7.

7 GOLA NË 23 NDESHJE

Sulmuesi 30-vjeçar nga Kosova, Vedat Muriqi, ka realizuar 7 gola në 23 ndeshje të LaLigës këtë sezon.

Në këtë përballje, Cyle Larin, sulmuesi tjetër i Mallorcës, filloi nga stoli, por nuk u aktivizua.

ESPANYOL LUFTON PËR MBETJE NË LIGË

Me këtë fitore, Mallorca e çoi kuotën e pikëve në 40 dhe vazhdon të mbajë gjallë shpresat për të siguruar një vend në kupat evropiane. Ndërkohë, Espanyoli mbeti me 28 pikë dhe vazhdon të luftojë për mbijetesë në LaLiga.

Pas pauzës ndërkombëtare, Mallorca do të përballet me Valencian në transfertë, ndërsa Espanyoli do të presë Atletico Madridin.

Kategoritë
Sport