Manchester City ka shënuar fitore me rezultat të thellë 4-1 në shtëpi ndaj West Hamit në kuadër të xhiros së 20-të në Ligën Premier
Kërcënimi i parë serioz në këtë sfidë erdhi nga lojtari mysafir Tomas Soucek, i cili në minutën e nëntë humbi një mundësi shumë të mirë shënimi.
Vendasit kaluan në avantazh në minutën e dhjetë, falë një autogoli nga Vladimir Coufal, i cili dërgoi topin në rrjetën e portës së tij për 1-0.
Në minutën e 38-të, ‘Qytetarët’ iu afruan golit të dytë, por gjuajtjen e bukur të Rico Lewis nga jashtë zonës e priti me shumë mund Alphonse Areola.
Pak minuta pa përfunduar pjesa e parë, Erling Haaland (42’) pati një punë të lehtë për ta dërguar topin në rrjetë me kokë pas asistimit të Savinhos.
Që të dy këta lojtarë ishin protagonistë edhe në golin e tretë, ku sërish norvegjezi shënoi për 3-0 në minutën e 55-të pas asistimit të brazilianit.
Golin që ‘fundosi’ përfundimisht West Hamin e shënoi Phil Foden në minutën e 58-të, duke realizuar për 4-0 pas asistimit të Kevin De Bruynes.
E tëra çfarë mund të bënin mysafirët ishte ‘goli i nderit’ i cili u shënua nga Niclas Fullkrug në minutën e 71-të.
City në këtë mënyrë ka filluar tashmë t’i lë anash rezultatet negative, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi pas asaj ndaj Leicester Cityt xhiron e kaluar.