Manchester United sot ka konfirmuar zyrtarisht se do të ndërtojë një stadium të ri, duke i dhënë fund 115 viteve të historisë në Old Trafford

Manchester United sot ka konfirmuar zyrtarisht se do të ndërtojë një stadium të ri, duke i dhënë fund 115 viteve të historisë në Old Trafford.

Gjiganti nga Manchesteri ka njoftuar se stadiumi i ri do të ndërtohet pranë Old Traffordat dhe do të ketë një kapacitet prej 100,000 vendesh. Kostoja e projektit pritet të tejkalojë 2 miliardë euro.

“Stadiumi më i madh i futbollit në botë”

Njëri nga pronarët e klubit, Jim Ratcliffe, ka konfirmuar synimin e tij për të ndërtuar “stadiumin më të madh të futbollit në botë.” Klubi shpreson që ndërtimi të përfundojë brenda pesë viteve.

Pse u vendos të ndërtohej një stadium i ri?

Pas një procesi të gjatë konsultimesh, drejtuesit e klubit shqyrtuan mundësinë e renovimit të Old Traffordit, por përfundimisht vendosën të investojnë në një ndërtim të ri modern.

Arsye kryesore për këtë vendim ishin kushtet e vjetruara të stadiumit, mungesa e rinovimeve që nga viti 2006, dhe problemet infrastrukturore, siç ishte rrjedhja e ujit nga çatia dhe prania e brejtësve në stadium, që shkaktuan reagime të ashpra nga tifozët dhe mediat.

Dizajni modern dhe ndikimi ekonomik

Projekti do të realizohet nga kompania arkitekturore Foster and Partners, e cila ka njoftuar se stadiumi do të ketë një dizajn inovativ me çati të mbuluar dhe do të jetë një nga projektet më të rëndësishme sportive në botë.

Klubi ka bërë të ditur se ky projekt do të krijojë 92,000 vende të reja pune dhe do të përfshijë ndërtimin e 17,000 banesave. Po ashtu, pritet të tërheqë 1.8 milionë vizitorë në vit, duke ndikuar pozitivisht në ekonominë e rajonit.

Si do të financohet stadiumi?

Manchester United aktualisht ka borxhe që tejkalojnë 1 miliard paund, dhe klubi ende nuk ka sqaruar plotësisht se si do të financojë ndërtimin e stadiumit të ri.

Ratcliffe: “Do të bëjmë stadiumin më të famshëm në botë”

“Sot është fillimi i një udhëtimi të jashtëzakonshëm për ndërtimin e stadiumit më të madh në botë. Old Trafford na ka shërbyer për 115 vjet, por ka mbetur prapa në krahasim me arenat më moderne sportive. Mendoj se mund të përfundojmë me stadiumin më të famshëm në botë,” deklaroi Jim Ratcliffe.

Me këtë projekt ambicioz, Manchester United synon të rikthehet në majën e futbollit europian, jo vetëm në fushë, por edhe në aspektin e infrastrukturës dhe komercializimit të klubit.

Kategoritë
Sport