“Manifesta 14” transformon hapësirat publike të njohura të Prishtinës

Manifesta është shtrirë në 25 hapësira emblematike të Prishtinës duke paraqitur në to 103 pjesëmarrës prej më shumë se 30 shteteve

Edicioni i 14-të i Bienales Nomade Evropiane, Manifesta, ka transformuar disa prej hapësirave të njohura publike të kryeqytetit kosovar – Prishtinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Manifesta është shtrirë në 25 hapësira emblematike të Prishtinës duke paraqitur në to 103 pjesëmarrës prej më shumë se 30 shteteve.

E ftuar nga Komuna e Prishtinës ky festival po mbështet ambicien e qytetarëve të Kosovës për të rikthyer dhe rivitalizuar hapësirat publike dhe për të ndihmuar në rishkrimin e të ardhmes së kryeqytetit të tyre.

Hoteli ikonik i Prishtinës, Hotel Grand, i cili hapi dyert më 1978, është bërë pjesë e transformimit nga artistë të këtij edicioni të Manifestas.

Ndonëse pesë yjet që kishte dikur ky hotel i janë hequr një nga një gjatë viteve dhe dritat në logon e tij ikonike i janë fikur, autori Petrit Halilaj e ka transformuar përkohësisht logon e errësuar në majë të hotelit në thirrje poetike “Kur dielli perëndon, ne e ngjyrosim qiellin”.

Logoja e re e tij e përkohshme kombinon shkronjat ekzistuese me disa shtesë, të gjitha të ndritura dhe me yje të vendosura gjithandej hapësirës së hotelit, duke i dhënë “shpresë” godinës” e cila nuk është renovuar për tash e disa dekada.

Prishtina, si qytet me pjesën kryesore të saj arkitekturore jugosllave është karakterizuar viteve të pas-luftës (1999) si qytet i mbindërtimeve. Pothuajse të gjitha llojet e ndërtesave, nga ato rezidenciale dhe ato komerciale kanë një pjesë të mbindërtuar.

Arkitektura të tilla “parazitare”, për të cilat aludon autori Alban Muja me ndërhyrjen e tij të quajtur “Mbi të gjithë”, shfaqen nëpër qytete në gjithë botën, por, sipas tij, në Prishtinë prania e tyre sinjalizon jo vetëm rënien e sistemit socialist të akomodimit, i cili të paktën në teori, u garantonte të gjithëve një banesë me çmim të përballueshëm, por edhe shpërbërjen e besimit dhe vështrimit për institucionet publike, pronën dhe hapësirën.

Vendimi i artistit për të ngritur një shtëpi mbindërtim në ish-shtëpinë e mallrave Gërmia, një vend shumë i dashur i kujtesës kolektive në qendër të kryeqytetit, i shpëtuar kohët e fundit nga shkatërrimi me qëndresë publike – thekson urgjencën e debatit të hapur rreth të ardhmes së ndërtesave publike si dhe jehonën e rezistencës kreative.

Edhe përmendorja e Heronjve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare afër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, e cila u ndërtua gjatë udhëheqjes së Josip Broz Titos në vitin 1961, e njohur edhe si “Trekëndëshi” dhe e projektuar për të konsoliduar “vëllazërim bashkimin”, ka ndryshuar ngjyrë.

Autori Ugo Rondinone e ka transformuar përkohësisht përmendoren e hirtë në një përmendore me ngjyra të çelura me synim që të nxjerrë në pah një “objekt të bukurisë dhe soditjes”.

Po kështu, një instalacion artistik i veçantë është vendosur në një hapësirë të gjelbër afër pazarit të vjetër të qytetit, ku disa karroca me rrota të vendosura krah njëra-tjetrës tregojnë se ato i kanë mbijetuar marshit të transportit të motorizuar nëpër vendet e zhvilluara si dhe në ato në zhvillim.

Sipas autorit Lulzim Zeqiri, pavarësisht nëse vizitoni tregjet e Prishtinës, Portsmuthit, Madridit apo Mumbait, pashmangshmërisht ende do të shihni njerëz që shtyjnë prodhime me karrocë nga tezgat në ndonjë pikë ngarkimi. Sipas autorit, ato shpesh shihen të mbledhura në rrathë të cilat përpos mallit, shërbejnë për të pushuar edhe pronarët e tyre, derisa shkëmbejnë tregime me të tjerë tregtarë të rrugës.

Ndërsa lëviz mes çatisë së ngritur të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve të Prishtinës – një ikonë e arkitekturës socialiste jugosllave – dhe veturave tokësore të parkuara në arenën sportive të djegur, balona e argjendtë e autorit Lee Bul, pjesë e ndërhyrjeve artistike në kryeqytet, fton për “reflektim mbi atë që mund të shpëtojmë nga ëndrrat e të kaluarës dhe çka mund të sjellë kjo për të ardhmen”.

E themeluar në fillim të viteve të 90-ta, Manifesta ndryshon vendndodhjen çdo dy vite dhe rimendon lidhjen mes kulturës dhe shoqërisë civile duke hulumtuar dhe marrë nisma për ndryshime pozitive sociale përmes kulturës bashkëkohore që i përgjigjet dhe është njëkohësisht në dialog të ngushtë me sferën shoqërore të Qytetit Nikoqir dhe komuniteteve të tij.

Edicioni i kaluar i Manifestas u mbajt në Marsej të Francës, kurse destinacioni i radhës pas Prishtinës do të jetë Barcelona, për edicionin e 15-të.

Kategoritë
LajmeVendi