Maqedonasit luajnë sonte ndeshjen më të vështirë në histori, do të fillojë me një minutë heshtje dhe do të mbajnë shirita të zinj

Kombëtarja e hendbollit e Maqedonisë së Veriut do të luajë sot në Koper kundër Sllovenisë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, një ndeshje që do të zhvillohet nën hijen e tragjedisë së madhe në Koçan, ku humbën jetën mbi 50 persona dhe mbi 100 të tjerë u plagosën.

Pa dyshim, kjo do të jetë ndeshja më e vështirë në historinë e kombëtares maqedonase, pasi zhvillohet në të njëjtën ditë kur ndodhi tragjedia më e madhe në Maqedoninë e Veriut.

Siç është konfirmuar, ndeshja do të fillojë me një minutë heshtje, ndërsa hendbollistët maqedonas do të mbajnë shirita të zinj gjatë ngrohjes.

Ndeshja do të zhvillohet para tribunave të mbushura plot, pasi palestra në Koper është shitur e gjitha. Megjithatë, edhe hendbollistët maqedonas do të kenë mbështetje të madhe, pasi një numër i madh maqedonasish jetojnë në Slloveni.

Sllovenia, me një fitore eventuale, do të siguronte një vend në Kampionatin Evropian 2026, ndërsa Maqedonia ka regjistruar deri tani dy humbje dhe një fitore.

Dy ekipet e para nga secili grup dhe katër skuadrat më të mira të renditura në vendin e tretë do të sigurojnë një vend në turneun kontinental. Ndeshja do të fillojë në orën 18:30.

Kategoritë
Sport