Maqedonci: Kësti i dytë për 246 raketat “Javelin ekzekutohet në fund të vitit

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruara se raketat antitank të llojit “Javelin”, do të jenë në inventarin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kohën e duhur, por nuk dha detaje të tjera.

Në deklarimin e tij për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Maqedonci tha se deri në fund të vitit pritet të kryhet edhe pagesa  e këstit të dytë.

“Sa i përket raketave “Javelin”, Ministria është duke vazhduar me procedurat për prokurimit. Në mars të këtij viti kemi ekzekutuar këstin e parë, ndërsa deri në fund të vitit do të ekzekutojmë edhe këstin e dytë. Jemi në rrugën e duhur ta kemi këtë sistem në kohën e duhur”, ka thënë ai.
Ndryshe më 11 janar të këtij viti, Departamenti Amerikan i Shtetit ka pranuar shitjen për Kosovën të 246 raketave “Javelin” në vlerë rreth 75 milionë dollarëve.

Kërkesa i është dërguar Kongresit Amerikan, që miratoi blerjen në shkurt të këtij viti.

DASH pati deklaruar se shitja e armëve në Kosovë mbështet qëllimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Sistemi raketor që drejtohet automatikisht dhe arrin distancën deri në 4 mijë metra u bë i njohur në luftën mbrojtëse të Ukrainës kundër Rusisë./Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi