Maqedonci: Kosova do të prodhojë armë edhe për eksport

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ka dhënë disa detaje rreth marrëveshjes së nënshkruar me Turqinë, ku qeveria nënshkroi të hënën një marrëveshje me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes, Makine ve Kimya Endüstrisi, për themelimin e një fabrike të municioneve në Kosovë.

Maqedonci tha se fokusi i marrëveshjes ka qenë fabrika e municionit, sipas tij kjo do të bëhet me financim nga qeveria e Kosovës, ndërsa pajisjet do të sigurohen nga shteti turk.

“Ne kemi nënshkruar kontratën dhe pas nënshkrimit fillon edhe puna për funksionalizimin e kësaj fabrike. Do të jetë një ndërmarrje publike që do të menaxhojë komplet fabrikën dhe qëllim kryesor do të ketë prodhimin e municione 5.56 dhe 7.62, municione këto që përdoren nga njësitë e hetuesërisë dhe njësitë ushtarake dhe që janë municionet që më së shumti shpenzohen edhe gjatë operacioneve por edhe gjatë trajnimeve”, tha Maqedonci për Euronews.

Ai theksoi se prodhimi nuk do të bëhet vetëm për furnizimin e institucioneve vendore por edhe për eksport.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi