Maqedoni e Veriut, del nga spitali pacienti i parë që iu nënshtrua transplantimit të mëlçisë

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, tha se ky është një hap historik për vendin.

Pacienti i parë në Maqedoninë e Veriut, i cili iu nënshtrua transplantimit të mëlçisë, doli sot nga spitali, pas transplantimit të kryer më 25 nëntor nga një donator i vdekur, raporton Anadolu Agency (AA).

Me këtë rast, konferencë për media mbajtën ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, Koordinatorja Nacionale e Transplantimeve, dr. Maja Mojsova Mijovska dhe drejtori i Klinikës Universitare për Kirurgji Digjestive, dr. Zoran Karaxhov.

Në konferencën për media të pranishëm ishin edhe disa nga kirurgët dhe anesteziologët të cilët morën pjesë në të gjithë procesin e transplantimit.

Dr. Karaxhov tha se transplantimi është një proces që kërkon shumë mund, punë ekipore dhe multidisiplinare dhe falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në të gjithë këtë proces.

“Sot po dërgojmë në shtëpi pacientin e parë i cili iu nënshtrua transplantimit të mëlçisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Bëhet fjalë për një transplantim të suksesshëm, për një pacient që me organin e ri bëhet anëtar i shëndoshë i kësaj shoqërie. Pra, diçka që praktikisht e fut këtë vend në grupin e vendeve ku kryhet transplantimi i mëlçisë”, tha dr. Karaxhov.

Ai falënderoi edhe familjen e donatorit, duke u shprehur se familja tregoi humanizëm duke lejuar një tjetër person të vazhdojë jetën e tij.

Koordinatorja Nacionale e Transplantimeve dr. Maja Mojsova Mijovska, tha se janë angazhuar në protokolle, strategji, si dhe trajnime dhe edukim.

Ajo u shpreh se të gjithë janë të emocionuar, krenarë dhe të lumtur që puna e tyre po jep fryte.

“Nuk ka moment më të lumtur kur pacienti shkon në shtëpi dhe nuk ka moment më të lumtur kur e dimë që puna ka përfunduar me sukses. Por që të arrihet kjo, ekzistojnë nga ana tjetër donatorët. Unë do të doja të shfrytëzoja rastin të falënderoj të gjitha familjet që deri më tani kanë dhuruar organe, në mënyrë që edhe ne të mund të shpëtojmë jetë dhe të transplantojmë organe”, tha ajo.

Sali: Hap historik për shëndetësinë në Maqedoninë e Veriut

Në deklaratën e tij, ministri Sali tha se ky është një hap historik për shëndetësinë në Maqedoninë e Veriut, që e rendit vendin në mesin e sistemeve më të larta shëndetësore që me sukses kryejnë transplantimin e mëlçisë.

Ai falënderoi edhe familjen e donatorit, e cila bëri të mundur transplantimin e mëlçisë për pacientin 60-vjeçar.

Sali theksoi se ky është transplantimi i gjashtë nga donatorët e vdekur këtë vit, por është rasti i parë kur bëhet fjalë për donator të mëlçisë.

“Puna e përbashkët ekipore e mbi 100 mjekëve, motrave medicinale dhe personelit administrativ, rezultoi që këtë vit të kemi transplantim të 10 veshkave nga donatorë që kanë ndërruar jetë, dy zemra të pacientëve me gjendje të rëndë dhe 10 transplantime të kryera të indit të eshtrave. Në dy vitet e fundit, gjithsej janë kryer transplantime të 8 zemrave, 30 veshkave, 20 inde të eshtrave dhe tanimë mëlçia e parë”, tha Sali.

Kujtojmë se më 25 nëntor, në Klinikën e Kirurgjisë Digjestive, një pacient 60-vjeçar me sëmundje kronike të mëlçisë mori një organ të shëndetshëm nga pacientja me vdekje në tru, familja e së cilës pranoi t’i dhurojë organet.

Kategoritë
LajmeRajoni