Maqedoni e Veriut, komuniteti turk dorëzon ankesë në ESHS për regjistrimin

Përfaqësues të komunitetit turk thonë se rezultatet e shpallura nga ESHS më 30 mars nuk pasqyrojnë të vërtetën për komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut, duke pretenduar se numri i turqve është më i lartë

Këshilli Koordinues Kombëtar i Regjistrimit të Turqve të Maqedonisë së Veriut ka dorëzuar ankesë pranë Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) ku thuhet se i gjithë regjistrimi është bërë në kundërshtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore dhe ka kërkuar që rezultatet e regjistrimit të anulohen dhe shpallen të pavlefshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Lidhjes së Organizatave Turke të Shoqërisë Civilë të Maqedonisë së Veriut (MATUSITEB), Hüsrev Emin, deputeti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Turqve, Beycan Ilyas dhe kryetari i partisë Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqve, Erdoğan Saraç, kanë dorëzuar një ankesë për regjistrimin e realizuar të popullsisë dhe rezultatet e publikuara.

Në deklaratë për media, Emin tha se rezultatet e shpallura nga ESHS më 30 mars nuk pasqyrojnë të vërtetën për komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut, duke pretenduar se numri i turqve është më i lartë.

Ai u shpreh se kanë dorëzuar ankesë “me fakte dhe argumente se i gjithë regjistrimi është bërë në kundërshtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore”, duke shtuar se janë shkelur edhe shumë të drejta të cekura në Kushtetutën e vendit.

Emin gjithashtu tha se kanë kërkuar takim me kreun e ESHS-së para dhe gjatë zhvillimit të regjistrimit, por nuk kanë arritur të realizojnë takim.

Deputeti Ilyas tha se përpos në ESHS, ankesa do të dorëzohet edhe në të gjitha institucionet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Këshillin e Evropës.

Ilyas gjithashtu tha se është i kuptueshëm edhe reagimi i Republikës së Turqisë në lidhje me ankesat e komunitetit turk në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, Saraç u shpreh se regjistrimi është shndërruar në një operacion politik, në vend që të ishte operacion statistikor.

Sipas të dhënave të shpallura nga ESHS, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 2.097.319 shtetas të vendit, prej të cilëve 1.836.713 janë rezident dhe 260.606 jo rezident.

Nga numri i përgjithshëm i të regjistruarve në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht të banorëve rezident dhe jo rezident, 3,98 për qind janë turq, ndërsa sa i përket përqindjes së banorëve rezident në vend, 3,86 për qind (70.961) janë deklaruar si turq.

Kategoritë
LajmeRajoni