Maqedoni e Veriut, kryhet transplantimi i parë i mëlçisë nga donatori i vdekur

Një pacient 60-vjeçar me sëmundje kronike të mëlçisë mori një organ të shëndetshëm nga pacientja me vdekje në tru, familja e së cilës mbrëmë pranoi t’i dhurojë organet.

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, njoftoi se është kryer transplantimi i parë i mëlçisë nga donatori i vdekur në historinë e shëndetësisë në vendit.

Përmes një postimi në Facebook, ministri Sali njoftoi se në Klinikën e Kirurgjisë Digjestive, një pacient 60-vjeçar me sëmundje kronike të mëlçisë mori një organ të shëndetshëm nga pacientja me vdekje në tru, familja e së cilës mbrëmë pranoi t’i dhurojë organet.

Ai gjithashtu bëri të ditur se krahas mëlçisë, është zhvilluar transplantimi i veshkave në dy pacientë me sëmundje të veshkave.

“Në emrin tim personal dhe në emër të gjithë personelit të përfshirë në ndërhyrjen e transplanteve, do të doja të falënderoja familjen e donatorit dhe vendimin e tyre për të shpëtuar jo një, por tre jetë. Ata na treguan edhe një herë se jeta mund të dhurohet”, shkroi Sali.

Ai falënderoi gjithashtu të gjitha ekipet mjekësore të përfshira në transplantim, që punuan dhe vazhdojnë të punojnë me pacientët gjatë 24 orëve të fundit.

“Falënderim të veçantë meriton profesori Zoran Karaxhov dhe ekipi i tij, si dhe ekipi i Klinikës së Gastroenterohepatologjisë, i cili sot shkroi një faqe të re jo vetëm në fushën e kirurgjisë digjestive, por edhe në shëndetin e përgjithshëm”, u shpreh Sali.

Kategoritë
LajmeRajoni