Maqedoni e Veriut, liderët politik nuk arrijnë marrëveshje për ndryshimet kushtetuese

Fokusi i takimit ishte e ardhmja evropiane e vendit dhe vendimet që në periudhën e ardhshme duhet të merren në Kuvend, përkatësisht nevojën për miratimin e ndryshimeve kushtetuese në përputhje me kornizën negociuese të miratuar nga BE-ja

Me ftesë të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në Kuvend u mbajt takim i kryetarëve të partive parlamentare, raporton Anadolu Agency (AA).

Në takim ishin të pranishëm shumica e kryetarëve të partive parlamentare, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Fokusi i takimit ishte e ardhmja evropiane e vendit dhe vendimet që në periudhën e ardhshme duhet të merren në Kuvend me një konsensus të gjerë politik dhe social, përkatësisht nevojën për miratimin e ndryshimeve kushtetuese në përputhje me kornizën negociuese të miratuar nga Bashkimi Evropian (BE).

Pas takimit, kryeministri Kovaçevski tha se kryetarëve të pranishëm të partive parlamentare u janë dhënë propozim-konkluzionet, por ato nuk janë miratuar.

Ai theksoi se anëtarësimi i plotë në BE është synim strategjik i vendit, duke shtuar se procesi i evropianizimit nuk është projekt vetëm i një partie politike.

“Na duhet gjithëpërfshirja në temën e BE-së, natyrisht, dhe jo fushë për grindje e kalkulime politike. Nuk duhet të lejojmë që ndryshimet kushtetuese për të cilat jemi zotuar me propozimin evropian dhe konkluzionet e Kuvendit, të jenë një pengesë që do t’i vëmë vetes. Për herë të parë vendimet varen vetëm nga ne dhe nëse ndodh bllokada, atë do ta bëjmë ne”, tha Kovaçevski.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, në deklaratën e tij akuzoi pushtetin se dëshiron ta de-fokusojë opinionin, siç tha ai, nga problemet reale, gjegjësisht nga rritja e çmimeve dhe nga kriza energjetike.

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, ai tha se është e qartë se shumica parlamentare nuk i ka votat e 2/3 nga gjithsej 120 deputetëve dhe tha se ka kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Shumica nuk ka shumicë për ndryshimet kushtetuese dhe në bazë të këtij konkluzioni, vijimi logjik i ngjarjeve është shpërbërja e Kuvendit, formimi i qeverisë teknike dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Mickovski.

Ai po ashtu tha se nuk ka kushte për konsensus dhe se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e ardhshme ku do të diskutohen ndryshimet kushtetuese.

Kategoritë
LajmeRajoni