Maqedoni e Veriut – Një tjetër diplomat rus shpallet “person i padëshiruar”

Maqedoni e Veriut ka shpallur “person të padëshiruar” edhe një tjetër diplomat të Federatës Ruse.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, konfirmoi se nga vendi është dëbuar edhe një tjetër diplomat rus.

I pyetur në një konferencë për media rreth informacioneve për dëbimin e diplomatit rus, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, Bujar Osmani dha konfirmimin e tij, por theksoi se informacioni është konfidencial dhe nuk mund të jepte hollësi rreth arsyes së dëbimit.

“Ministria e Punëve të Jashtme, sa herë që merr informacion të konfirmuar dhe të dokumentuar në lidhje me sjelljen e diplomatëve të huaj të akredituar, që është në kundërshtim me parimet e Konventës së Vjenës, merr masat për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare, por edhe sigurinë e aleatëve në aleancën të cilës i përkasim. Kështu që informacioni është i saktë”, u përgjigj ai.

Kujtojmë se ky është rasti i dytë sivjet që një diplomat rus dëbohet nga Maqedonia e Veriut. Më 18 maj, Maqedonia e Veriut shpalli një diplomat rus “person të padëshiruar” konform nenit 9 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe Konsullore, pas helmimit në vitin 2018 të ish-oficerit të inteligjencës ruse dhe agjentit të dyfishtë, Sergey Skripal dhe vajzës së tij, Julia, në Angli.

Menjëherë pas këtij vendimi, Rusia njoftoi se do të kundërpërgjigjej me reciprocitet dhe më 10 qershor të këtij viti shpalli “person të padëshiruar” një diplomat të punësuar në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Moskë.

E njëjta masë u paralajmërua edhe sot. Zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Aleksandr Grushko, bëri me dije se Maqedonisë së Veriut do t’i japin përgjigjen e duhur sipas parimeve të reciprocitetit.

Kategoritë
LajmeRajoni