Maqedoni e Veriut, parandalohet arratisja e organizuar përmes tunelit nga burgu i Idrizovës

Pas dorëzimit të informacionit autoritetet kryen kontrolle në vendin e mundshëm të tunelit, ku u konstatua ekzistenca e një tuneli të gërmuar në thellësi rreth 1 metër dhe gjatësi rreth 40 metra.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se është parandaluar një arratisje e organizuar nga burgu i Idrizovës pasi është zbuluar gërmimi i një tuneli nga disa të burgosur, transmeton Anadolu.

Siç njofton ministria, pas marrjes së informacioneve se një grup prej të paktën tetë personave, të dënuar për krime të rënda nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm, përgatitnin një arratisje nga burgu duke gërmuar një tunel, departamentet kompetente të ministrisë ndërmorën aktivitete operacionale kriminale për verifikimin e informacionit.Të njëjtat informacione më pas u ndanë me Administratën për Ekzekutimin e Sanksioneve, e cila pas dorëzimit të informacionit kreu kontrolle në vendin e mundshëm të tunelit, ku u konstatua ekzistenca e një tuneli të gërmuar në thellësi rreth 1 metër dhe gjatësi rreth 40 metra.

“Në tunel u zbuluan disa shporta plastike të lidhur me litar, të cilat u përdorën për të nxjerrë dheun e gërmuar, si dhe një kabllo elektrike me një llambë që përdorej për ndriçimin e tunelit”, tha ministria.

Në njoftim theksohet se Ministria e Punëve të Brendshme në koordinim me prokurorinë publike kompetente po ndërmerr masa dhe aktivitete shtesë për zbardhjen e rastit.

Kategoritë
LajmeRajoni