Maqedonia e Veriut blen 26 autoblinda amerikane

Ngarkesa e dytë prej gjithsej 26 autoblinda të lehta amerikane JLTV Oshkosh, të destinuara për Forcat e Armatosura të Maqedonisë së Veriut, ka mbërritur në portin e Selanikut në Greqi, ka konfirmuar ministrja e Mbrojtjes e atij vendi, Slavjanka Petrovska.

Ajo ka deklaruar se automjetet janë shkarkuar nga anija në portin e Selanikut dhe se në ditët në vijim do të transferohen në kazermën në Shtip, transmeton Beta.

“Me këto mjete të blinduara më të avancuara dhe më të sofistikuara, ne po e ndryshojmë fytyrën e ushtrisë sonë dhe po rrisim gatishmërinë luftarake, domethënë po forcojmë sigurinë e Maqedonisë së Veriut dhe NATO-s”, tha ajo.

Ushtria maqedonase tashmë përdor gjashtë automjete të blinduara të lehta JLTV Oshkosh, të cilat u dorëzuan në korrik të vitit të kaluar dhe u përdorën për trajnimin e personelit profesional.

Amerikanizimi i këmbësorisë maqedonase”

Maqedonia e Veriut planifikon të blejë gjithsej 88 JLTV, dhe kjo është një punë që do të kryhet në vitet e ardhshme.

Në këtë mënyrë procesi i “amerikanizimit të këmbësorisë maqedonase” do të vazhdojë, duke pasur parasysh se, përveç JLTV-së, Maqedonia e Veriut tashmë ka blerë automjete të blinduara më të mëdha Stryker nga SHBA.

Ushtria e Maqedonisë së Veriut, nëse do të realizohen planet e mëparshme, në fund të këtij procesi do të ketë 88 automjete JLTV dhe 45 Stryker në variante të ndryshme.

Kategoritë
LajmeRajoni