Maqedonia e Veriut dhe Kroacia nënshkruan memorandum në fushën e trajnimit diplomatik

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ishte nikoqir i ministrit të Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, Gordan Grliç-Radman, i cili qëndron për vizitë zyrtare në vend.

Maqedonia e Veriut dhe Kroacia nënshkruan Memorandum të Mirëkuptimit në fushën e trajnimit diplomatik, me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ishte nikoqir i ministrit të Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, Gordan Grliç-Radman, i cili qëndron për vizitë zyrtare në vend.

Ministrat realizuan takim dypalësh, ndërsa më pas u nënshkrua memorandumi në fushën e trajnimit diplomatik.

Në konferencën e përbashkët për media, ministri Osmani tha se dy vendet gëzojnë marrëdhënie të mira dhe të afërta, duke shtuar se zhvillimi i rajonit dhe procesi integrues janë interesa të përbashkëta.

“Jam veçanërisht i kënaqur që sot nënshkruam një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme në fushën e trajnimit diplomatik, i cili do të mundësojë shkëmbimin e përvojave, njohurive dhe, shpresojmë, në rritje të vëllimit të trajnimeve dhe programeve të përbashkëta ndërmjet dy institucioneve tona”, tha Osmani.

Ai gjithashtu tha se vitin e kaluar shkëmbimi tregtar ndërmjet dy vendeve ka shënuar një rritje prej rreth 20 për qind, duke shtuar se megjithatë, kjo nuk i pasqyron marrëdhëniet e shkëlqyera politike.

Kryediplomati kroat tha se vendi i tij jep mbështetje të fuqishme për perspektivën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai rikujtoi se në Samitin e Ballkanit Perëndimor, të organizuar gjatë presidencës kroate me Bashkimin Evropian (BE) dy vjet më parë, u miratua deklarata për zgjerim dhe perspektivë evropiane për vendet e rajonit.

“Pikërisht me iniciativën tonë, me iniciativën e Kroacisë, u miratua vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne sinqerisht shpresojmë që sa më shpejt të mbahet konferenca e parë ndër-qeveritare dhe të fillojnë bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Grliç-Radman.

Ai gjithashtu i vlerësoi aktivitetet e Maqedonisë së Veriut sa i përket avancimit të pozitës së pakicës kroate në Maqedoninë e Veriut.

Grliç-Radman tha se interes strategjik i Kroacisë është përforcimi i rezistueshmërisë së rajonit, sidomos duke pasur parasysh situatën aktuale gjeostrategjike dhe luftën në Ukrainë.

Ai theksoi zgjedhjet e ardhshme në Bosnjë e Hercegovinë, për të cilat tha se do të jenë sfiduese dhe se ligji aktual zgjedhor është diskriminues.

Krahas takimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në mbrëmje në Filarmoninë e Maqedonisë së Veriut do të mbahet një ngjarje solemne, që do të shënohet me koncert të Ansambleve folklorike nga Maqedonia e Veriut dhe Kroacia, e më pas do të ketë pritje përkatëse për kremtimin e përbashkët të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë.

Kategoritë
LajmeRajoni