Maqedonia e Veriut miratoi Protokollet për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

Në të dyja votimet, të pranishëm ishin 105 deputetë nga gjithsej 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Prej tyre, 103 votuan “pro” dhe dy “kundër”

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi Protokollet për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, raporton Anadolu Agency (AA).

Ligjet për ratifikimin e Protokolleve të Traktatit të Atlantikut të Veriut në lidhje me anëtarësimin e Republikës së Finlandës dhe Mbretërisë së Suedisë ishin pjesë e rendit të ditës në seancën e 82-të të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Në të dyja votimet, të pranishëm ishin 105 deputetë nga gjithsej 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Prej tyre, 103 votuan “pro” dhe dy “kundër”.

“Pro” votuan të gjithë deputetët e shumicës parlamentare dhe pjesa më e madhe e opozitës, në përjashtim të dy deputetëve të partisë “Levica” (E Majta), parti e njohur për qëndrimet e saja anti-NATO.

Në sallën e Kuvendit të pranishëm ishin edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, si dhe përfaqësues të ambasadave të huaja në Shkup.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut më herët dha pëlqim për propozimin e dy vendeve skandinave për anëtarësim në NATO.

Pas përfundimit të votimit, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, rikujtoi vështirësitë e Maqedonisë së Veriut gjatë anëtarësimit në NATO dhe uroi që procedura e miratimit të Protokolleve të përfundojë sa më shpejt që është e mundur në të gjitha vendet anëtare të aleancës.

“Më lejoni që në emrin tim, në emrin tuaj dhe në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuesve të dy vendeve mike tonat, Republikës së Finlandës dhe Mbretërisë Suedeze t’ju uroj rrugëtim sa më të shkurtë të mundshëm, suksese dhe bashkërenditje të veprimeve tona në shoqërinë, në familjen e madhe të quajtur NATO. Urime!”, tha Xhaferi.

Maqedonia e Veriut është anëtarja më e re e NATO-s, duke u vërë pjesë e aleancës në mars të vitit 2020.

Për anëtarësim të plotë të Finlandës dhe Suedisë në NATO nevojitet miratimi i Protokolleve nga të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s, apo institucioneve tjera, varësisht nga legjislaturat vendase.

Kategoritë
LajmeRajoni