Mariçiq-Osmani: Propozimi zyrtar do të ndahet me të gjitha institucionet në vend

Zv/kryeministri për Integrime Evropiane, Mariçiq tha se sapo një propozim zyrtar të arrijë në institucionet e vendit, do të prezantohet në të gjitha institucionet përkatëse në vend

Zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq në konferencën e sotme të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, tha se propozimi francez është në version pune dhe sapo të arrijë propozimi zyrtar në institucionet tona, do t’u prezantohet partnerëve të koalicionit, Qeverisë dhe Kuvendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Zv/kryeministri Mariçiq, duke theksuar se propozimi francez është në version pune, tha se sapo një propozim zyrtar të arrijë në institucionet e vendit, do të prezantohet në të gjitha institucionet përkatëse në vend.

“Në momentin që do të marrim ndonjë propozim zyrtar, ai sigurisht që do t’i paraqitet për shqyrtim edhe Qeverisë edhe partnerëve të koalicionit qeveritar dhe sigurisht në njëfarë forme do të konsultohet edhe Parlamenti dhe Komisioni për Punë të Jashtme”, tha Mariçiq.

Ministri i Jashtëm, Osmani, duke theksuar se ende nuk e di se çfarë rezolute është miratuar nga Kuvendi bullgar në votimin e sotëm, tha se deri më tani ka pasur një version pune të paharmonizuar mes dy vendeve, më pas vendeve anëtare dhe se Presidenca franceze në bazë të këtyre dy pozitave formale zyrtare duhet të sjell propozim përfundimtar.

Lidhur me atë se nëse do të thonë po ose jo për ndonjë propozim, ministri Osmani tha: “Tri pyetje janë të rëndësishme nëse mund t’i themi po një propozimi apo jo. Është çështja e gjuhës, çështja e përjashtimit të interpretimeve historike si pjesë e procesit të negociatave dhe e treta është raporti ndërmjet ndryshimit të kushtetutës dhe fillimit të negociatave”.

Në pyetjen e gazetarëve nëse Maqedonisë së Veriut nuk i është dhënë datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe nëse ajo do të mbajë përgjegjësi, ministri Osmani tha se çështja e suksesit është çështje relative.

“Çështja e suksesit është relative, varet se çfarë do të thotë sukses. A është mbrojtja e interesave të shtetit, a është sukses pozicioni shtetëror apo diçka tjetër. Ne nuk e cilësojmë këtë çështje si çështje bardh e zi të suksesit dhe dështimit, kjo është lufta jonë pa alternativë për t’u anëtarësuar në BE duke respektuar interesat shtetërore dhe interesat e qytetarëve”, tha Osmani.

Ai potencoi se Maqedonia e Veriut një ditë do të bëhet anëtare e BE-së, por me interesa të mbrojtura shtetërore dhe kombëtare.

 

Kuvendi i Bullgarisë votoi “propozimin francez”

Vlen të përmendet se Kuvendi i Bullgarisë sot miratoi “propozimin francez” për tejkalimin e kontestit mes Sofjes dhe Shkupit. Mbështetje dhanë 170 deputetë ndërsa 37 ishin kundër.

Megjithatë, teksti u plotësua me disa ndryshime që kanë të bëjnë me garancitë për ndryshimet kushtetuese në projekt konstatimet e Këshillit, në sqarimin e qëndrimit bullgar për gjuhën maqedonase si dhe garancinë për zbatimin konsekuent të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë.

Kategoritë
LajmeVendi