Mark Rutte duke folur për luftën e pritshme të NATO-s me Rusinë përpiqet të “zgjojë” evropianët

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, po përpiqet të krijojë një bazë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të aleancës, duke paralajmëruar se lufta është e pashmangshme nëse forcat evropiane nuk do të jenë të afta.

Pavarësisht se kur mund të ndodhë një armëpushim ose përfundimi i luftës ruso-ukrainase, Rusia do të jetë disa qindra kilometra më afër territorit të NATO-s.

Kjo është realiteti i ri i sigurisë në kontinentin evropian në shekullin e 21-të, i cili ka rrëzuar të gjitha dokumentet strategjike të vendeve anëtare, që parashikonin se një luftë konvencionale në Evropë ishte një skenar i vështirë për t’u realizuar.

Kjo luftë ndodhi, fillimisht në vitin 2014 si një konflikt me intensitet të ulët, e më pas që nga viti 2022 deri më sot, vazhdon një luftë e madhe konvencionale me fronte, llogore dhe të gjitha tiparet e një lufte tokësore, të cilës evropianët ishin disi larguar.

Forcimi i bazës industriale

Në fund të vitit 2022, ushtria gjermane (Bundeswehr) mbeti pa granata artilerie, ndërsa mediat franceze raportuan se, sipas burimeve të informuara, as ushtria franceze nuk kishte mjaftueshëm municion për një luftë me intensitet të lartë.

Duke pasur parasysh këto përvoja, me të cilat përballej ish-sekretari i përgjithshëm Stoltenberg gjatë luftës në Ukrainë, Rutte planifikon të forcojë bazën industriale mbi bazën e këtyre mësimeve.

Nëse lufta në Ukrainë ka treguar diçka, atëherë është fakti që, pavarësisht sa i fuqishëm mund të jetë një aleancë që mbështet një shtet me ndihmë ushtarake, inteligjente dhe ekonomike, nëse vetë shteti në luftë nuk ka një bazë industriale, mbështetja afatgjatë është e paqëndrueshme.

Dhjetëvjeçari i mandatit të Jens Stoltenbergut në krye të NATO-s e pati qetësuar aleancën deri në vitin 2017, kur erdhi Donald Trump. Pyetja është në çfarë gjendje do ta kishte gjetur NATO-ja luftën në Ukrainë nëse Trumpi nuk do të kishte detyruar rritjen e shpenzimeve për mbrojtje.

Vendet evropiane, deri në luftën ruso-ukrainase, zhvillonin kryesisht ndërhyrje të shpejta me aviacion, njësi speciale ose përdorim të kufizuar të flotës detare. Paralele me zhvillimin e armëve të sofistikuara, nga sistemet e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, po largoheshin ushtarë të specializuar dhe ekspertë të ndryshëm.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, më shumë se 300 ushtarë largohen nga sistemi çdo muaj, ndërsa një situatë e ngjashme është edhe në vende të tjera. Skenari i Kievit i rikujtoi të gjithëve se fuqia e ushtrisë, pavarësisht përparimeve teknologjike, ende matet me standarde tradicionale. Municioni ka qenë dhe mbetet karburanti i luftës.

Duke përmbledhur të gjitha potencialet dhe burimet mbi të cilat llogarit Mark Rutte si kreu i NATO-s, një aleancë jo e mjaftueshme e fuqishme është një ftesë e drejtpërdrejtë për vazhdimin e agresionit rus. Kërkesa për 5% të PBB-së për mbrojtje është e mjaftueshme për të rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, për të rritur kapacitetet e industrisë ushtarake, për të forcuar kapacitetet logjistike dhe për të lidhur përfundimisht SHBA-në me sigurinë dhe mbrojtjen evropiane.

Kjo është ajo në të cilën llogarit sekretari i ri i përgjithshëm kur përpiqet të “zgjojë” evropianët duke i paralajmëruar për një luftë të ardhshme me Rusinë.

Kategoritë
BotaLajme