Marokenët e përshtatin stërvitjen e tyre gjatë Kupës së Botës me lutjet dhe shkojnë në xhami në kohën e lirë

Kombëtarja marokene i përshtat stërvitjet me lutjet e lojtarëve të saj myslimanë dhe orari i stërvitjeve, vakteve apo takimeve organizohet sipas nevojave të lojtarëve për lutje dhe nevojave të tjera të secilit lojtar, shkruan Mundo Deportivo.

Kryetrajneri Walid Regragui, lindur në Francë, por me origjinë marokene, njeh nevojat e secilit prej futbollistëve të tij, atyre që janë më të përkushtuar ndaj besimit të tyre, por edhe atyre që janë më pak të përkushtuar.

Trajneri maroken donte që lojtarët e tij të kishin liri në kohën e tyre të lirë dhe u dha mundësinë të pushojnë me familjet të nesërmen e ndeshjeve, gjë që futbollistët e vlerësojnë shumë.

Disa prej tyre u larguan nga kampi stërvitor për t’u falur në xhaminë më të afërt pranë hotelit dhe në shenjë falënderimi ndaj Allahut, marokenët bënin sexhde pas çdo ndeshjeje.

Kujtojmë se Maroku u bë kombëtarja e parë afrikane që kualifikohet në gjysmëfinale të Botërorit, ku nesër në orën 20:00 do të luajë kundër Francës.

Kategoritë
Sport