Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se 225 studentë kosovarë do të kenë mundësi të studiojnë në universitetet prestigjioze të Hungarisë duke nisur nga viti akademik 2024/2025.
Kjo është arritur pasi MAShTI ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, për Programin e Bursave “Stipendium Hungaricum”, për vitet 2024 – 2026.
“Qëllimi i këtij Memorandumi është të lehtësojë dhe zgjerojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, duke kontribuar kështu, në një bashkëpunim reciprokisht të dobishëm në fushën e arsimit të lartë” – thuhet në njoftimin e MAShTI-t.
Me këtë rast, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka falënderuar Qeverinë e Hungarisë për mbështetjen financiare të studentëve nga Kosova ndër vite, me theks mbështetjen e cila pritet që të ofrohet përmes këtij memorandumi, përgjatë dy viteve.