Mashtrohet futbollisti në Kosovë: Ia marrin mbi 100 mijë euro me premtimin për ta transferuar në Ajax

Qytetarë të shumtë japin shuma të majme parash te personat jokompetent për të kryer shërbime të ndryshme, të cilët më vonë rezultojnë të jenë vetëm mashtrues. Pre e një mashtrimi të tillë ka rënë edhe një futbollist i ri nga Prishtina, i cili mori premtimin se do të dërgohej në Holandë për t’u bërë pjesë e ekipit ‘Ajax’.

Siç raporton Gazeta Sinjali përmes burimeve të veta brenda Prokurorisë, tashmë kanë nisur hetimet lidhur me rastin të cilin e ka denoncuar vetë 18-vjeçari i cili luan futboll aktiv për njërin nga ekipet më të njohura në Prishtinë.

Bazuar në dëshminë e tij dhënë organeve të hetuesisë, i riu kishte marrë premtime se do t’i mundësohej që të jetë pjesë e ekipit holandez. Mirëpo për këtë ai duhet të paguante para.

Dhe kur përmenden paratë, nuk bëhet fjalë për 1 mijë e as 10 mijë euro. 18-vjeçari pretendon se i ka dhënë të dyshuarit mbi 100 mijë euro para të ndara në disa pjesë.

Me të parë se premtimi po mbetet bosh dhe nuk po realizohet, ai është detyruar të kërkojë ndihmën e Policisë, ku para hetuesve ka dhënë detaje lidhur me atë se çfarë ka ndodhur.

Me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar ‘Mashtrim’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.

Kategoritë
Sport