Mbahet konferenca e para-ofertimit për ankandin solar 100 megavatësh

Kryeministri i Kosovës, Kurti tha se ankandi i parë diellor që po pritet të krijohet në Kramovik ka potencialin të sigurojë energji elektrike për pothuajse 20 mijë familje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, morën pjesë në konferencën e para-ofertimit për ankandin solar 100 Megavatësh (MW), transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti tha se ankandi i parë diellor që po pritet të krijohet në Kramovik ka potencialin të sigurojë energji elektrike për pothuajse 20 mijë familje, projekt ky i cili hap rrugën drejt projekteve të mëtejshme të energjisë së rinovueshme në Kosovë.

“Kjo pasqyron angazhimin tonë për një agjendë kuptimplotë të ndryshimeve klimatike, mirëqenien e qytetarëve tanë dhe kalimin tonë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme energjetike. Për më tepër, ne jemi në proces të finalizimit të Ligjit për Energjitë e Rinovueshme, i cili përfshin praktikat më të mira globale në industrinë e energjisë së rinovueshme dhe ofron siguri ligjore dhe rregullatore për investitorët e mundshëm”, tha Kurti.

Ai theksoi se investimi për ankandin e parë diellor përbëhet nga një marrëveshje mbi 200 milionë euro me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit për sistemet e ruajtjes së baterive, një marrëveshje ndërmjet Korporatës Energjetike të Kosovës dhe General Electric për modernizimin e termocentralit “Kosova B”, dhe një marrëveshje prej 160 milionë euro me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të ndërtuar kapacitete të energjisë së rinovueshme.

Duke përmendur elementet që e bëjnë Kosovën një destinacion tërheqës për investitorët, sikurse afërsia e saj me tregjet evropiane, fuqia punëtore e aftë dhe një kuadër i fuqishëm rregullator, kryeministri Kurti veçoi se synimi është të inkurajojnë investimet private dhe të krijojnë një klimë të favorshme investimi, si shtytës kyçë për rritjen ekonomike.

Mirënjohjen e tij të thellë, kryeministri Kurti e shprehu edhe për ambasadorin Hovenier dhe Qeverinë e SHBA-së, si dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), “për mbështetjen e palëkundur në ndihmën e Kosovës në identifikimin dhe promovimin e potencialit të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë”.

Njëkohësisht, ai shprehu mirënjohje edhe për punën e Ministrisë së Ekonomisë për zhvillimin e iniciativës dhe krijimin e një procesi të hapur dhe transparent tenderimi në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Konferenca e para-ofertimit për ankandin solar 100 MW u organizua nga Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me USAID-in.

Më 12 maj në Prishtinë Qeveria e Kosovës bashkë me administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, shpallën ankandin e parë në Kosovë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW.

Nëpërmjet një konference për media u theksua se “Kosova ka siguruar të gjitha kushtet për të gjitha kompanitë që dëshirojnë të investojnë në këtë fushë”.

Kategoritë
LajmeVendi