Mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, diskutohen incidentet në veri

Zyra e Kryeministrit tha se incidentet në veri janë të koordinuara dhe mbështetura nga Qeveria e Serbisë, e të cilat me të gjitha mjetet në dispozicion “po veprojnë kundër Rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës dhe po përhapin propagandë”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kryesuar takimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit dhe incidentet e fundit në veri të vendit të shkaktuara nga strukturat ilegale dhe grupet kriminale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra e Kryeministrit në një njoftim për media tha se incidentet në veri janë të koordinuara dhe mbështetura nga Qeveria e Serbisë, e të cilat me të gjitha mjetet në dispozicion “po veprojnë kundër Rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës dhe po përhapin propagandë”.

“Strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Republikës, institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu në këtë mbledhje është theksuar se brenda 17 ditëve, që nga ngritja e barrikadave në veri, ka pasur komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in, ndërsa u ritheksua kapaciteti dhe gatishmëria e Policisë së Kosovës për të vepruar, por, megjithëkëtë u theksua se institucionet kosovare po presin ende veprime nga KFOR-i për largimin e barrikadave.

Në fund thuhet se në këtë mbledhje është theksuar edhe që Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të dialogojnë me banda kriminale, ndërsa u potencua se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë.

Barrikadat në disa prej rrugëve publike në veriun e banuar me shumicë serbe janë vendosur nga 10 dhjetori, si reagim i serbëve lokalë pas arrestimit të ish-policit serb të Policisë së Kosovës Dejan Pantiq, i cili është në paraburgim nga autoritetet kosovare.

Situata e sigurisë në veri të Kosovës është përkeqësuar nga dita e djeshme pasi Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) bëri të ditur se ka parë dhe dëgjuar të shtëna afër patrullës së saj, e cila po qëndronte në një fshat të Komunës së Zubin Potokut në veri.

KFOR nëpërmjet një komunikate për media gjatë ditës bëri të ditur se “po punohet për zbardhjen e rrethanave të sulmit indirekt në afërsi të patrullës së KFOR-it”, teksa është nënvizuar se është e rëndësishme që të shmangen veprimet që mund të shkaktojnë tensione dhe ta përshkallëzojnë situatën.

Kategoritë
LajmeVendi