Mbappe akuzon presidentin e Federatës Franceze të Futbollit për “mosrespekt” ndaj Zidane

“Zidane është Franca, legjenda nuk mund të mos respektohet kështu”, tha futbollisti francez, Kylian Mbappe, duke kritikuar presidentin e Federatës Franceze të Futbollit (FFF), Noel Le Graet.

Futbollisti francez, Kylian Mbappe, i cili fitoi çmimin Këpuca e Artë në Kupën e Botës FIFA 2022 në Katar, kritikoi presidentin e Federatës Franceze të Futbollit (FFF), Noel Le Graet, për deklaratën e tij për futbollistin legjendar, Zinedine Zidane.

Mbappe kritikoi Le Graet-in për fjalët e tij: “Zidane nuk u përpoq të kontaktonte me mua. Unë nuk do t’ia hapja telefonin edhe sikur të më telefononte. Nuk jemi takuar kurrë me të”.

Mbappe, i cili bëri një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetet sociale, tha: “Zidane është Franca, legjenda nuk mund të mos respektohet kështu”.

FFF njoftoi të shtunën se i zgjati kontratën trajnerit, Didier Deschamps, i cili drejtori kombëtaren në finalen e dytë radhazi të Kupës së Botës, që u mbajt në Katar në vitin 2022. Zidane më parë ishte ndër kandidatët e preferuar për të zëvendësuar Deschamps-in.

Ministrja franceze e Sportit, Amelie Oudea-Castera, deklaroi gjithashtu se Le Graet e kaloi kufirin me deklaratat e tij.

“Është një mosrespekt i turpshëm që na lëndon të gjithëve ndaj një legjende të futbollit dhe sportit”, shtoi ajo.

Ndërkohë edhe klubi i futbollit në Spanjë, Real Madrid, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Federatës Franceze të Futbollit. Në deklaratën e bërë nga klubi, thuhet se fjalët e presidentit të FFF-së, Le Graet, për një nga legjendat më të mëdha të botës së sportit, Zidane janë për të ardhur keq.

Zidane së fundmi u largua nga Real Madridi në vitin 2021 dhe më pas nuk drejtoi asnjë ekip tjetër.

Kategoritë
Sport