Futbollisti i kombëtares franceze, Kylian Mbappe, mungoi në grumbullimin e kombëtares për shkak të një dëmtimi të pretenduar, edhe pse francezi luajti në ndeshjen e fundit të Realit para pushimit ndërkombëtar.
Në të njëjtën kohë kur shokët e tij të skuadrës po luanin ndeshjen e Ligës së Kombeve kundër Izraelit, Mbappe ndodhej në Stokholm, ku po pushonte me miqtë dhe po shijonte kohën e lirë.
Futbollisti i Realit vizitoi restorantin Chez Jolie përpara se të shkonte në një klub nate, ku kolegët suedezë e “kapën” duke festuar.
Trajneri i “Trengjyrëshve,” Didier Deschamps, e mbrojti atë duke theksuar se kishte një dëmtim të vogël dhe nuk donin të rrezikonin me të.
“Nuk kam asnjë dyshim për përkushtimin e Kylianit ndaj ekipit kombëtar, por nuk ishte në gjendjen më të mirë në grumbullimin e fundit. Ka një problem që nuk është serioz, por i duhet trajtim për t’u rikuperuar plotësisht. Nuk donim të rrezikonim dhe për këtë arsye Kylian nuk është këtu,” shpjegoi trajneri Deschamps mungesën e tij në kombëtare.
Ndërkohë, “Trengjyrëshat” fituan edhe pa Mbappen ndaj Izraelit në Budapest, me rezultatin 4:1, dhe francezi do të rikthehet në fushë me fanellën e Realit në ndeshjen kundër Celta Vigos më 19 tetor.