Në një deklaratë me shkrim, Zyra për Media e Qeverisë në Gaza, tha se “ushtria izraelite prej 60 ditësh po vazhdon sulmet e saj intensive nga toka, ajri dhe deti kundër veriut të Rripit të Gazës”
Më shumë se 3.700 persona kanë humbur jetën ose janë zhdukur, 10 mijë janë plagosur dhe 1.750 persona janë arrestuar gjatë masakrave të kryera nga ushtria izraelite në veri të Rripit të Gazës në 60 ditët e fundit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim, Zyra për Media e Qeverisë në Gaza, tha se “ushtria izraelite prej 60 ditësh po vazhdon sulmet e saj intensive nga toka, ajri dhe deti kundër veriut të Rripit të Gazës”.
Në deklaratë, theksohet se sulmet në veri të Rripit të Gazës kanë në shënjestër “Kampin Jabalia, Jabalia al-Balad, Jabalia al-Nazla, qytetin Beit Hanoun, Beit Lahia, Projektin Beit Lahia dhe rrethinat e këtyre rajoneve”.
“Si pasojë e sulmeve izraelite që kanë vazhduar pa ndërprerje në 60 ditët e fundit, 3.700 persona kanë rënë dëshmorë ose janë zhdukur. 2.400 prej tyre janë varrosur. Përveç kësaj, 10 mijë njerëz janë plagosur në sulme dhe 1.750 persona janë arrestuar nga forcat izraelite”, theksohet në deklaratë.
Zyra për Media tha se ushtria izraelite, e cila po pengon punën e ekipeve të mbrojtjes civile dhe të ndihmës së parë në veri të Gazës, ka shkatërruar gjithë infrastrukturën në rajon, si sektorin shëndetësor, spitalet, rrjetin e ujësjellësit, kanalizimet dhe rrugët, duke përkeqësuar kështu situatën humanitare.
“Pjesa veriore e Rripit të Gazës ka pësuar fatkeqësi në kuptimin e plotë të fjalës”, thuhet në deklaratë.
Deklarata po ashtu njofton se në rrugët e veriut ka 500 deri në 650 kufoma që nuk janë tërhequr për rreth dy muaj. Dëshmitarët okularë kanë thënë se kufoma në rrugë janë copëtuar nga qentë endacakë dhe nga trupat e pajetë kanë mbetur vetëm eshtra që nuk mund të identifikohen.
– Izraeli nuk ka lejuar hyrjen e më shumë se 8 mijë kamionëve me ndihma
Në deklaratën e Zyrës për Media, thuhet se ushtria izraelite ka penguar hyrjen e më shumë se 8 mijë kamionëve me ndihma humanitare në veri të Rripit të Gazës.
Po ashtu theksohet se qëllimi i sulmeve brutale të planifikuara të ushtrisë izraelite që synojnë vendet ku jetojnë civilët janë të detyrojnë njerëzit e rajonit të migrojnë.
“Izraeli pushtues i kreu këto vrasje dhe plane të migrimit të detyruar në partneritet me SHBA-në, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë”, tha Zyra për Media e Qeverisë në Gaza.