Mbi 32 mijë vizitorë gjatë majit në hotelet e Kosovës, 63 për qind të huaj

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Hotelerisë në Kosovë për muajin maj 2022, sipas të cilave del se 32 mijë e 444 persona kanë vizituar hotelet gjatë kësaj periudhe.

Sipas ASK-së, prej tyre 37.12 përqind ishin vendorë dhe 62.88 përqind ishin të huaj.

“Në maj 2022 pjesë e anketës ishin 206 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës. Numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) ishte 32 444, prej të cilëve 37.12% ishin vendorë dhe 62.88% ishin të jashtëm, ndërsa numri i net-qëndrimeve ishte 50 mijë e 247, prej tyre 32.10% nga vendorët dhe 67.90% nga të huajt”, thuhet në komunikatën për media.

Numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve të tyre e ka rajoni i Prishtinës me 15 mijë e 223 vizitorë dhe 24 mijë e 358 net-qëndrime, thuhet po aty.

Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren, Pejë e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj numri më i madh ishte nga Shqipëria, Zvicra, Gjermania, etj.

Kategoritë
Ekonomi