Zyrtari palestinez Zaher al-Wahidi shpjegoi se 32.151 fëmijë humbën baballarët e tyre, 4.417 humbën nënat e tyre dhe 1.918 humbën të dy prindërit
Më shumë se 38 mijë fëmijë palestinezë kanë mbetur jetimë nga lufta gjenocidale e Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023.
Zaher al-Wahidi, zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, për Anadaolu tha se përpos fëmijëve jetimë, “të paktën 13.901 gra kanë mbetur të veja nga lufta”.
Zyrtari palestinez shpjegoi se 32.151 fëmijë humbën baballarët e tyre, 4.417 humbën nënat e tyre dhe 1.918 humbën të dy prindërit.
“Këto shifra pasqyrojnë shkallën e dhimbjes që ka vuajtur populli i Gazës. Kjo kërkon që të gjithë të punojnë urgjentisht për të lehtësuar vuajtjet e jetimëve dhe familjeve të prekura, për të rindërtuar jetën e tyre”, shtoi ai.
Faza e parë gjashtëjavore e marrëveshjes së armëpushimit të Gazës hyri në fuqi më 19 janar, duke pezulluar luftën gjenocidale të Izraelit, i cili ka vrarë rreth 47.200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur më shumë se 111.160 që nga 7 tetori 2023.
Marrëveshja prej tre fazash e armëpushimit përfshin shkëmbimin e të burgosurve dhe qetësi të qëndrueshme, duke synuar një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza.
Sulmet izraelite kanë lënë më shumë se 11.000 njerëz të zhdukur, me shkatërrim të gjerë dhe një krizë humanitare që ka marrë jetën e shumë të moshuarve dhe fëmijëve në një nga fatkeqësitë më të këqija humanitare globale.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti në nëntor të vitit të kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.