Mbi 52 mijë sirianë kthehen në atdheun e tyre nga Türkiye pas rënies së regjimit të Asadit

Duke folur në portën kufitare “Cilvegözü” në provincën jugore turke Hatay, Yerlikaya tha se aktualisht janë 2.888.876 sirianë që banojnë në Türkiye

Ministri turk i Punëve të Brendshme, Aki Yerlikaya ka bërë të ditur se 52.622 sirianë në Türkiye u kthyen në atdheun e tyre në muajin e fundit pas rënies së regjimit të partisë Baath, raporton Anadolu.

Duke folur në portën kufitare “Cilvegözü” në provincën jugore turke Hatay, Yerlikaya tha se aktualisht janë 2.888.876 sirianë që banojnë në Türkiye.

“Përpara se Siria të fitonte lirinë e saj, mesatarisht 11.063 sirianë u kthyen çdo muaj gjatë 11 muajve të parë të vitit 2024 përmes kthimeve vullnetare, të sigurta, dinjitoze dhe të rregullta”, tha Yerlikaya në një konferencë për media.

“Që kur Siria fitoi lirinë e saj më 8 dhjetor, ndodhën zhvillime të pritura. Në muajin e fundit, 52.622 sirianë u kthyen në vendin e tyre”, shtoi ai.

Midis tyre, njoftoi ministri turk duke dhënë detaje rreth kthimeve, kishte 9.729 familje, gjithsej 41.437 njerëz, ndërsa 11.185 sirianët e mbetur përbëhen nga individë që kthehen vetëm.

“Numri i kthimeve vullnetare, të sigurta, dinjitoze dhe të rregullta që nga viti 2017 ka arritur në 792.625”, shtoi ai.

Porta kufitare “Cilvegözü” është një nga pikat kryesore të kalimit midis Türkiyes dhe Sirisë.

Kategoritë
BotaLajme