Mbi 9.500 akademikë, mësues dhe mjekë izraelitë nënshkruajnë peticionin për lirimin e pengjeve në Gaza

“Lufta u shërben kryesisht interesave politike dhe personale. Vazhdimi i saj do të çojë në vdekjen e pengjeve, ushtarëve dhe civilëve të pafajshëm dhe do të shterë forcat rezervë”, argumentuan akademikët

Më shumë se 9.500 akademikë, mësues dhe profesionistë mjekësorë izraelitë, si dhe rreth 1 mijë prindër kanë nënshkruar peticione duke kërkuar nga qeveria në Tel Aviv të sigurojë lirimin e pengjeve të mbajtura në Rripin e Gazës, edhe nëse kjo nënkupton përfundimin e luftës në enklavë, transmeton Anadolu.

Sipas gazetës izraelite Haaretz, rreth 3.500 akademikë nënshkruan një peticion në mbështetje të një letre të mëparshme nga rezervistët e Forcave Ajrore të Izraelit që kërkonin kthimin e pengjeve dhe përfundimin e luftë në Gaza.

“Ne, anëtarët e stafit akademik në institucionet e arsimit të lartë, i bashkohemi thirrjes së ushtarëve të Forcave Ajrore dhe kërkojmë kthimin e menjëhershëm të pengjeve, edhe nëse kjo kërkon ndërprerjen e luftës menjëherë”, thuhet në peticion.

“Lufta u shërben kryesisht interesave politike dhe personale. Vazhdimi i saj do të çojë në vdekjen e pengjeve, ushtarëve dhe civilëve të pafajshëm dhe do të shterë forcat rezervë”, argumentuan akademikët.

Ata shtuan se “siç është treguar në të kaluarën, vetëm një marrëveshje e negociuar mund të sigurojë kthimin e sigurt të pengjeve në Izrael”.

Në një peticion të ngjashëm, mbi 3 mijë mësues theksuan se “kjo nuk është një thirrje për të refuzuar shërbimin ushtarak, por një lutje për të shpëtuar jetë”.

Rreth 1 mijë prindër po ashtu nënshkruan një letër tjetër ku thuhej se “për hir të së ardhmes së fëmijëve tanë, ne refuzojmë t’i rrisim ata në një luftë të pafund dhe nuk do të mbyllim sytë para vrasjes së fëmijëve”.

“Ne hedhim poshtë idenë e rrezikshme se nuk ka të pafajshëm në Gaza. Ne refuzojmë të braktisim pengjet ose të çnjerëzojmë të tjerët”, shkruan prindërit.

Ndërkohë, siç raporton Yedioth Ahronoth, rreth 3 mijë profesionistë mjekësorë izraelitë, së bashku me tre laureatë të Nobelit, nënshkruan një tjetër peticion, duke i bërë thirrje qeverisë të lirojë pengjet e mbajtura në Gaza duke ndalur luftën në vazhdim.

Të hënën, tha Radio e Ushtrisë së Izraelit, rreth 150 ish-ushtarë izraelitë që shërbyen në Brigadën Golani, një njësi elitare e këmbësorisë, nënshkruan një peticion që qeveria të sigurojë lirimin e pengjeve duke i dhënë fund luftës.

Dje, më herët, ish-kryeministri izraelit, Ehud Barak dhe ish-shefi i shtabit Dan Halutz nënshkruan një peticion të nënshkruar nga 1.525 ushtarë të Korpusit të Blinduar që kërkonin lirimin e pengjeve, edhe nëse kjo do të kërkonte përfundimi i luftës.

Në të njëjtën ditë, gazeta Yedioth Ahronoth tha në një raport tjetër se më shumë se 1.600 veteranë nga Brigadat e Parashutistëve dhe Këmbësorisë gjithashtu nënshkruan një letër duke i kërkuar qeverisë të kthejë të gjitha pengjet, edhe nëse kjo nënkupton ndalimin e luftës.

Rreth 170 të diplomuar të programit elitar të inteligjencës ushtarake “Talpiot” nënshkruan një letër ku kërkonin lirimin e pengjeve deri në fund të luftës, ndërsa theksonin se nuk u bënin thirrje rezervistëve që të refuzonin shërbimin.

Në letrën e tyre, të diplomuarit e Akademisë Talpiot të ushtrisë shprehën mbështetje për disa thirrje të ushtarëve dhe veteranëve që denonconin politikën e luftës të qeverisë si në shërbim të “interesit politik dhe personal” dhe jo nevojave të sigurisë, sipas Radio Army.

“Vazhdimi i luftës nuk kontribuon në asnjë nga qëllimet e saj të deklaruara”, thuhet në letër, duke paralajmëruar se vazhdimi i luftës do të çonte vetëm në më shumë vdekje, duke përfshirë pengje, ushtarë dhe civilë të pafajshëm.

Peticionet janë pjesë e një valë më të gjerë thirrjesh publike nga personeli aktual dhe ish-personeli ushtarak izraelit, të gjithë duke kërkuar kthimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës.

Deri të enjten, sipas të dhënave të mbledhura nga Anadolu, ushtarët kanë nënshkruar gati 10 peticione duke kërkuar fundin e luftës së Gazës.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka kërcënuar se do të shkarkojë ushtarët aktiv që kanë nënshkruar peticionet.

Më 18 mars, ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj në Gaza, duke prishur marrëveshjen e armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve të 19 janarit.

Pothuajse 51 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza në sulmet brutale izraelite që nga tetori i vitit 2023.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli për luftën në enklavë gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kategoritë
BotaLajme