Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se mesazhet kërcënuese për shqiptarët në Bujanoc janë shndërruar në përditshmëri.
Teksa ka publikuar edhe një mbishkrim me përmbajtje kërcënuese në rrjetin social Facebook, Kamberi ka ftuar organet e rendit që të zbardhin rastin në tërësi, pasi siç ka potencuar ai, ky është rasti i dytë brenda javës, shkruan Gazeta online Reporteri.net.
“Mesazh i ri antishqiptar në Bujanoc. Mesazhet kërcenuese për shqiptarët në Bujanoc janë shndrruar në përditshmëri. Sot, në hyrjen e repartit për fëmijë, në Shtëpinë e shëndetit në Bujanoc, është vendosur ky mbishkrim. “Vdekje shqiptarëve. Nuk ju duam. Kosova është Serbi”! Ky është mesazhi i dytë brenda një jave i këtij lloji. Gjuha e urrejtjes e kërcënimet ndaj shqiptarëve në Bujanoc kan marr hov. Ftoj organet e rendit që të zbardhin rastin në tërësi”, thuhet në postimin e Kamberit.
Kujtojmë se një rast i tillë ka ndodhur edhe më 13 gusht, ku vetëm një ditë pas protestës së shqiptarëve në Bujanoc, një mbishkrim provokues është shkruar në oborrin e Shtëpisë së shëndetit në po atë vend.
/Reporteri.net/.