Mbretëria e Bashkuar pret që Izraeli t’i përmbahet angazhimit në zonën tampon të Lartësive të Golanit

Një zëdhënës i Zyrës së Jashtme tha se Izraeli ka qenë i “qartë” se prania e tyre në zonën tampon në Siri është mbrojtëse, e kufizuar dhe e përkohshme

Mbretëria e Bashkuar ka deklaruar se pret që Izraeli t’i përmbahet angazhimit në zonën tampon të Lartësive të Golanit, duke përsëritur se lartësitë janë territor i pushtuar.

Duke iu përgjigjur pyetjes nga Anadolu mbi vendosjen e forcave shtesë nga Izraeli përgjatë zonës tampon që ndan Sirinë dhe lartësitë e pushtuara të Golanit, një zëdhënës i Zyrës së Jashtme tha se Izraeli ka qenë i “qartë” se prania e tyre në zonën tampon në Siri është mbrojtëse, e kufizuar dhe e përkohshme.

“Ne presim që Izraeli t’i përmbahet këtij angazhimi. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Izraelit dhe të gjitha palëve që të respektojnë detyrimet e tyre ndaj paqes, stabilitetit dhe sigurisë sipas ligjit ndërkombëtar”, tha zëdhënësi i zyrës britanike.

Më herët, sekretari britanik i Jashtëm, David Lammy, diskutoi për Sirinë me ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit, Gideon Sa’ar.

Mbretëria e Madhe i konsideron Lartësitë e Golanit si territor të pushtuar dhe nuk e njeh aneksimin e rajonit nga Izraeli.

Dje, ushtria izraelite vendosi “zona të mbyllura ushtarake” në Lartësitë e Golanit të pushtuara të Sirisë pas rënies së papritur të regjimit sirian të Bashar Asadit.

Në përgjigje të shqetësimeve ushtarake për infiltrimin e mundshëm të grupeve të armatosura, ushtria izraelite vendosi forca shtesë përgjatë zonës mbrojtëse që ndan Sirinë dhe Lartësitë e Golanit.

Asad iku në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut herët dje, duke sinjalizuar rënien e regjimit të Partisë Baath, që ka qenë në pushtet në Siri që nga viti 1963.

Kjo pasoi marrjen nën kontroll të Alepos, një qytet kyç në Sirinë veriore, nga grupet kundër regjimit gati një javë më parë.

Kategoritë
BotaLajme