Mbreti jordanez: Refuzojmë çdo përpjekje për të zhvendosur palestinezët

Mbreti Abdullah është takuar me presidentin palestinez Mahmoud Abbas në Pallatin Al-Husayniyya në kryeqytetin Aman

Mbreti jordanez Abdullah II theksoi nevojën që populli palestinez të qëndrojë në tokat e veta dhe tha se ai kundërshton çdo përpjekje për të detyruar palestinezët të migrojnë nga Rripi i Gazës dhe Bregu Perëndimor, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate nga zyra e mbretit, Abdullah është takuar me presidentin palestinez Mahmoud Abbas në Pallatin Al-Husayniyya në kryeqytetin Aman.

Mbreti Abdullah i Jordanisë theksoi domosdoshmërinë e arritjes së një paqeje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse të bazuar në një zgjidhje me dy shtete dhe nënvizoi rëndësinë e krijimit të një shteti të pavarur palestinez brenda kufijve të vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet.

“Jordania qëndron plotësisht me vëllezërit dhe motrat palestineze në arritjen e të drejtave të tyre legjitime”, tha mbreti Abdullah, duke shtuar se pushtimi izraelit i tokave palestineze në Bregun Perëndimor duhet të ndalet.

Mbreti i Jordanisë deklaroi se nuk do të pranojnë aneksimin e tokave palestineze dhe hodhi poshtë çdo përpjekje për të detyruar palestinezët të migrojnë nga Gaza dhe Bregu Perëndimor.

Duke vënë në dukje se stabiliteti i popullit palestinez duhet të jetë në tokat e veta, Abdullah tha se Jordania po punon në bashkëpunim të ngushtë me vendet mike dhe vëllazërore për të arritur paqen gjithëpërfshirëse përballë problemeve rajonale.

Ai theksoi se armëpushimi në Rripin e Gazës duhet të vazhdojë dhe shprehu nevojën për intensifikimin e përpjekjeve ndërkombëtare për rritjen e ndihmave humanitare për enklavën palestineze.

Duke iu drejtuar komunitetit ndërkombëtar, Abdullah bëri thirrje për rol më aktiv në uljen e tensioneve në Bregun Perëndimor dhe ndalimin e sulmeve ndaj shenjtërive islame dhe të krishtera në Kuds.

Ndërkaq, presidenti palestinez Abbas lavdëroi mbështetjen e Jordanisë për kauzën palestineze, duke vënë në dukje kontributin efektiv të Jordanisë në promovimin e një armëpushimi të qëndrueshëm.

Abbas theksoi përpjekjet e Jordanisë për të siguruar dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza, duke thënë se kjo ka kontribuar në zbutjen e vuajtjeve të popullit palestinez në kushtet e vështira humanitare në Gaza.

Ndryshe, presidenti amerikan Donald Trump, të martën mbrëma, në një konferencë për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, tha se “SHBA-ja do të marrë kontrollin e Rripit të Gazës”, menjëherë pasi sugjeroi një zhvendosje të përhershme të palestinezëve jashtë Gazës.

“Ne do ta zotërojmë atë dhe do të jemi përgjegjës për çmontimin e të gjitha bombave të rrezikshme të pashpërthyera dhe armëve të tjera në këtë vend. Do ta rrafshojmë vendin, do t’i heqim qafe ndërtesat e shkatërruara dhe do të krijojmë një zhvillim ekonomik që do të sigurojë një numër të pakufizuar vendesh pune dhe banesash për njerëzit e zonës”, tha Trump.

Türkiye, Jordania dhe Egjipti, si dhe vende të tjera rajonale dhe evropiane, duke përfshirë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, kanë refuzuar propozimin e Trumpit për zhvendosjen e palestinezëve.

Kategoritë
BotaLajme