Drejtoria e Mbrojtjes Civile në Gaza tha se trupat e 9 personave të tjerë janë gjetur nën ndërtesat që janë shndërruar në rrënoja nga sulmet izraelite në Gaza
Njoftohet se trupat e pajetë të 162 palestinezëve janë nxjerrë deri më tani nga rrënojat e ndërtesave që Izraeli ka shkatërruar me sulmet e tij në Rripin e Gazës përpara se marrëveshja e armëpushimit të hynte në fuqi, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të bërë nga Drejtoria e Mbrojtjes Civile në Gaza, thuhet se trupat e 9 personave të tjerë janë gjetur nën ndërtesat që janë shndërruar në rrënoja nga sulmet izraelite në Gaza.
Në deklaratë thuhet se dy prej trupave u gjetën në qytetin e Gazës në veri dhe shtatë nga rajonet jugore, duke e çuar numrin e të gjeturve në rrënojat e ndërtesave në 162 që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 19 janar.
Në deklaratë thuhet se nën shtëpitë dhe ndërtesat që janë shndërruar në rrënoja nga bombardimet në gjithë Gazën vlerësohet se ka mijëra trupa të pajetë dhe se për shkak të mungesës së makinerive të rënda të ndërtimit, ekipet e mbrojtjes civile kanë aftësi shumë të kufizuara për të hequr rrënojat.
– Marrëveshja për armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve Izrael-Hamas
Katari, një nga vendet ndërmjetësuese, më 15 janar njoftoi se Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje për një armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve në Gaza.
Marrëveshja hyri në fuqi të dielën, më 19 janar. Në 42 ditët e para të marrëveshjes së armëpushimit që përbëhet nga 3 faza, do të lirohen 33 pengje izraelite dhe mbi 1.900 të burgosur palestinezë.
Brigadat Kassam, krahu ushtarak i Hamasit, në kuadrin e fazës së parë të marrëveshjes i dorëzuan ekipi të Kryqit të Kuq 3 gra izraelite.
Në këmbim, 90 palestineze të mbajtura në burgjet izraelite u liruan nga burgu ushtarak Ofer në Bregun Perëndimor të pushtuar.