MBULESA NË ISLAM DHE BALLAFAQIMI ME SHAMINË NË SHOQËRINË KOSOVARE!

Nuk dyshohet fare se çështja e mbulesës në Islam (shamia), është ndër temat e ndjeshme edhe sot e kësaj dite. Ajo ka qenë temë diskutimi edhe në të kaluarën. Për te kanë folur dijetarë, ulema, juristë e mendimtarë të ndryshëm. Brenda hemisferës islame dhe jashtë saj.


Shamia si problem në vete, sikur nacionalizmi dhe çështja e lirisë dhe të drejtave të njeriut kanë qenë tri rrafshet më të ndjeshme dhe më të rrezikshme në kohën kur po i jepej grushti përfundimtar, halifatit islam i përfaqësuar nga Perandoria Osmane. Nga ajo kohë e deri më sot, çështja e shamisë është temë provokative në diskutimet e ndryshme jo vetëm mes sekularistëve dhe tradicionalistëve në botën islame, por edhe në rrafshe tjera gjithandej në territore ku muslimanët janë pakicë apo shumicë. Të mos harrojmë edhe këtë: Mbulesa e femrës ka qenë e njohur edhe para ardhjes së Islamit. Grekët dhe romakët e kishin trashëguar nga paraardhësit e tyre. Njëjtë kështu ajo ishte e përhapurt edhe tek hebrenjtë.

Por, çka thotë Kur’ani për mbulesën e femrës?

Në Kuran mbulesa në mënyrë eksplicite përmendet në katër vende (Ah’zab 30, 53, 59 dhe en-Nur 31). Edhe në traditën e Muhamedit a.s. për mbulesën është thënë mjaft. Ajetet 30 dhe 53 të kaptinës Ah’zab që i dedikohen grave të pejgamberit, në fakt, janë urdhra drejtuar familjes së profetit, por jo edhe femrave tjera. Ajeti 59 i të njëjtës kaptinë i cili në dukje jep të kuptohet se fjala është për mbulimin e kraharorit të femrës, sipas juristëve islam, ky ajet i dedikohet të gjitha grave myslimane.

Ajeti 31 i kaptinës en-Nur, është ajeti më i gjatë dhe më spekcifikues rreth mbulesës së femrës. Është më i drejtpërdrejti në lidhje me te. Sipas këtij ajeti, nëse femra për çfarëdo arsye bëhet shkak për ligësi, është detyrë e mashkullit që së bashku me femrën t’i mbrojnë vlerat dhe interesin e përgjithshëm të shoqërinë. Ligjet islame që flasin për rëndësinë e inkorporimit të femrës në shoqëri, janë në favor të lejimit të ekspozimit të fytyrës dhe të shuplakave të saj.

Islami siç është kundër lirisë së pakufizuar dhe shfrenimeve tjera, është edhe kundër burgosjes së femrës brenda grillave të jetës. Asaj i lejohet të ushtrojë detyra edhe jashtë shtëpisë, të punojë dhe të fitojë për nevojat e veta, por pa ekspozime të tepruara. Ajo mund të falet në xhami, të jetë pjesëmarrëse në tubimet publike ku debatohet rreth çështjeve në interes të saj dhe të shoqërisë. Sipas Islamit, femra ka obligim të shkollohet, mund të qeverisë, të menaxhojë dhe të kujdeset për pasurinë e vet, ta harxhojë atë dhe të nënshkruaj kontrata sipas interesave të veta, pa lejen e askujt. Ajo ka të drejtën e votës dhe të vetos. Padrejtësitë që i bëhen asaj nuk janë nga Kur’ani, por nga myslimanët që nuk kuptojnë Kur’anin. Islami është në favor të lirisë së femrës. Tjetër është që muslimanët i shtrembëruan mësimet e tij. Mbulesa nuk është për ta mbyllë femrën, por për të ruajtur interesin e përgjithshëm të shoqërisë, nëse ky interes cenohet për çfarëdo arsye.

Myslimanët jo gjithherë kanë kuptuar drejt fenë e tyre. Nën ndikimin e dokeve dhe zakoneve të egra e shumë herë nën presionin e interpretimeve të mësuesve kryeneçë, janë shtrembëruar normativat e fesë dhe janë shtypur të drejtat e gruas. Interpretimet e gabueshme myslimanëve u kushtuan shtrenjtë. Një numër i madh i dijetarëve ishin lëshuar në interpretime të thata të formës së jashtme duke lënë mënjanë brendësinë përmbajtjesore të Kur’anit. Në rastin konkret, fetvatë e çoroditura dëmtuan nënën, bashkëshorten dhe motrën myslimane.

Ka pasur dijetarë përgjatë historisë islame të cilët menduan se problemi i femrës, pra edhe i mbulesës, mund të zgjidhet duke e mbyllur atë në shtëpi dhe duke ia pamundësuar pjesëmarrjen në proceset shoqërore. Gabimisht e trajtuan “gjysmën” e shoqërisë njerëzore. Për më tepër se kaq, i’a ndaluan jetesën e lirshme dhe e sakatuan atë. E penguan komunikimin e saj me jetën dhe shoqërinë. Kështu, u dëmtua ajo vetë, familja dhe shoqëria në përgjithësi.

Megjithatë, ishte fat i mirë që pati dijetarë të guximshëm të ballafaqohen me interpretuesit injorantë ku, përkundër kritikave të ashpra që u adresoheshin, në mënyrë trimëruese shpjeguan drejt Islamin dhe jetën në përgjithësi.

Kur është fjala tek normat dhe rregullativat e shoqërisë, Kur’ani aty nuk jep ligje të prera. Në këso raste ai përdorë filozofi specifike. Kur’ani nuk lëshohet në detaje, por vë principe dhe rregulla të përgjithshme në mënyrë që pastaj vetë njeriu t’i specifikojë ato sipas dinamikave dhe rrethanave të jetës. Natyrisht, gjithnjë në pajtueshmëri me principet e përgjithshme të Kur’anit. Islami asnjëherë nuk bënë dallime diskriminuese në mes femrës dhe mashkullit. Secila nga këto dy pjesë të barabarta të shoqërisë njerëzore kanë përgjegjësitë e veta, sipas natyrës që janë krijuar. Edhe pse ky koncept islam shpesh herë kritikohet mbase edhe nga vet myslimanët, dijetarë të njohur i promovojnë vlerat dhe qëndrimet e Muhamedit a.s. të shprehura nëpërmes hadithit të tij të njohur: “Për çështjet e kësaj bote, ju dini më mirë se unë”. Sipas kësaj, shoqëria është ajo që shtron dhe zgjidh çështjet, pra edhe të mbulesës. Kërkesat e mjedisit, rrethanat e reja të krijuara prej kohës në kohë si dhe ruajtja e moralit dhe interesit të përgjithshëm, është hapësirë tejet e ndjeshme së cilës Kur’ani i kushton një vëmendje të posaçme.

Cila formë e mbulesës është obligative në Islam?

Ekzistojnë mendime të ndryshme rreth përkufizimit të mbulesës dhe detajeve të formës se si duhet të mbahet ajo. Unë mendoj se kjo çështje nuk ka të bëjë me ndonjë urdhëresë eksplicite të Kur’anit, por me mënyrën e interpretimit njerëzor që i bëhet atij. Kur’ani nuk lëshohet në detaje të stërzgjatura as rreth mbulesës së femrës. Aty nuk gjen askund e asgjë se si duhet të jetë modeli i mbulesës por as se në cilën shoqëri cila duhet të praktikohet. Kur’ani është libër që jep definicione. Pesha dhe vlera e definicionit matet për aq sa ai është konciz, i qartë dhe lehtë i aplikueshëm. Për më tepër se kaq, të jetë formulë e cila zbërthehet dhe vlenë për gjithkund dhe për të gjitha kohërat. Marrja me detaje, sipas mësimeve kur’anore është pjesë e veprimtarisë njerëzore. Duke filluar me vetë profetët e njerëzimit. Jo rastësisht në Kur’an nuk është e definuar as sasia e dhënies së zekatit. Ajo është lënë të rregullohet sipas interesave dhe nevojave të shoqërive nëpër kohë të ndryshme. As forma e faljes së namazit nuk është e precizuar në Kur’an. E pra as rregullat mbi mbulesën. Dispozitat rreth saj janë përgjegjësi e faktorit njeri. Njeriu është i obliguar të jetë rregullator i jetës së vet sociale, duke përdorur arsyen e shëndoshë, duke bërë krahasime mes fakteve, fenomeneve dhe ngjarjeve. Andaj edhe është përgjegjës për gjithë atë që bënë.

Tema rreth shamisë në Kosovë dhe dimensionet e saj

Në Kosovë, polemikat rreth shamisë herë-herë përshkallëzohen dhe shkaktojnë debate të ndjeshme. Duke qenë se jemi pjesë e “jetesës së njëjtë” në gjithë globin, pra, duke jetuar në kohën e globalizmit ku ngjarjet që ndodhin në një cep të botës, reflektojnë shumë shpejt në cepin tjetër të saj, edhe mbulesa e fermës pra (me të drejtë) përfolët në Kosovës sikur gjithkund ku ka myslimanë. Tek ne sikur edhe gjetiu, kundërshtarët e mbajtjes së shamisë pretendojnë se feja duhet të mbetet privatësi e individit dhe e ndarë nga jeta publike, ndërsa mbrojtësit e shamisë thirren në dispozitat fetare obliguese për besimtarët.

Shikuar nga lartë, duket se të dy këto perspektiva kanë mbështetjet e veta. Për ata që mbulesa është obligim fetar, ndalimi i saj në shkolla paraqet problem serioz dhe cenim i të drejtave elementare për jetë, siç është shkollimi. Ata të cilët dalin kundër shamisë, shaminë e shohin atak mbi laicitetin e shtetit. Prandaj edhe e kundërshtojnë bartjen e saj nëpër institucione shtetërore dhe në shkolla publike. Të parët shikojnë në mbulesën nga perspektiva e të qenurit pjesë e pandashme e normativave fetare, të dytët, duke u thirr në parimet sekulariste të individualitetit, shaminë e shohin si cenim edhe i lirisë së individit. Për më tepër se kaq, sipas të dytëve, ky kufi nuk duhet të tejkalohet. Kështu, të parët flasin nga këndvështrimi i parimeve bazë të fesë, të dytët e shohin edhe si pjesë e rrezikut eventual nga Islami politik.

Si përfundim të përmendim edhe këtë. Allahu e ka dërguar Islamin dhe e ka bërë fe universale për të mirën e përgjithshme në të gjithë kohërat dhe për të gjitha vendet. Principet dhe rregullat e tij paraqesin garancione të pakontestueshme ndaj të gjitha të drejtave të njeriut. Megjithatë, ato rregulla dhe principe nuk guxojnë t’i tejkalojnë kufijtë e interesit të përgjithshëm dhe të shkaktojnë konflikte në dëm të interesit shoqërorë. Principet e fesë së Zotit janë dhe duhet të vihen në shërbim të harmonisë mes nevojave individuale dhe shoqërore gjithandej ku ato janë prezente.

Publikuar më parë te Mejdani.com. 


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina